Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin po vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Rubin tha se shoqëria në Kosovë ka qenë e shtypur për dhjetëra vite.
Ai para prokurorit deklaroi se janë mundur t’I bindeshin qytetarët në Kosovë, që të mos hakmerreshin për vrasjet që kishin ndodhur.
“Në dhjetëra udhëtime që kam bërë në Kosovë në këto vite, kam krijuar një përshtypje të fuqishme së 90 përqind e këtyre njerëzve, kanë qenë të shtypur për dhjetëra vite. Nuk kishin Qeveri të organizuar, nuk kishin polici të organizuar, nuk kishin ushtri të organizuar. Dhe ata që kishin autoritet moral, në një shoqëri të shtypur si kjo, ishin ata që mund të kishin më shumë ndikim, për të bindur familjet për të mos u përfshirë në hakmarrje. Mënyra më efikase për të parandaluar hakmarrjen ishte që këto autoritete morale të bëjnë thirrje te familjet që kishin humbur motrat, vëllezërit në vrasjet masive, të mos hakmerreshin. Dhe në këtë shoqëri, autoriteti moral është jashtëzakonisht I rëndësishëm sesa autoriteti i personave që marrin vendime. Kjo është përvoja ime në shumë zona të luftës”, deklaroi Rubin.
Ai tha se në atë kohë edhe Hashim Thaçi, i cili udhëhiqte me një parti, bënte thirrje qytetarëve të mos krijohet dhunë politike.
Rubin gjatë dëshmisë së tij deklaroi se në Kosovë nuk ka parë brigade, batalione apo njësi formale të UÇK-së.
“Kishin uniforma, disa kishin e disa jo, nuk i konsideronim si Polici Ushtarake”, tha ai, duke shtuar “Kam lexuar komunikata por i kam parë më shumë si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se që ishte”.
Rubin është dëshmitari i parë që mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e ka sjell në gjykatore. Pas tij pritet të dëshmojnë edhe dhjetë dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të Thaçit.