Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media në hollin e Kuvendit të Kosovës, kanë zyrtarizuar arritjen e koalicionit qeverisës.
“Nesër do të shkojmë në Kuvend, për dallim nga hera e kaluar, tashmë me marrëveshje për të votuar qeverinë e re. Jemi marrë vesh për të gjitha. Kryetari Mustafa do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Në VV kanë nisur përgatitjet për referendum, sepse kështu e kërkojnë statutet e dy subjekteve tona”, tha Kurti, raporton Koha.net.
Kurti do të kërkojë votat e deputetëve për t’u bërë kryeministër në seancën plenare për votimin e Qeverisë së re, të hënën më 3 shkurt.
Derisa kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë arritur marrëveshje me VV-në me alternativën më të mirë që është në dobi të Kosovës.
“Ne kemi arritur marrëveshje, e vlerësojmë që është një marrëveshje e mirë në dobi të Kosovës, e të ndryshimeve që domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat e bashkërisht kemi ardhur në një zgjidhje që besojmë se është në interes të Kosovës dhe të kemi një qeveri të suksesshme të realizojë pritshmëritë”, ka thënë Mustafa.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë është nënshkruar marrëveshja.
Mustafa ka shtuar se kryeparlamentari do të propozohet nga Vetëvendosja dhe do të jetë kandidat i LDK-së, derisa për presidentin thotë se do të diskutohet kur të vjen koha.
“Kryeparlamentarin e Kuvendit e propozon Vetëvendosja, do të jetë kandidat i LDK-së. Sa i përket presidentit nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes së sotme, do ta diskutojmë kur të vjen koha”, ka thënë Mustafa.
Kurse kreu i Vetëvendosjes, Kurti ka shtuar se do të jenë 15 ministri.
“Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh pasi është qeveria më e vogël. Ne kemi vlerësuar që synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejt, por kemi thënë se është një tendencë për të kursyer sa më shumë, por në anën tjetër është dëshmuar se krijimi i disa superministrive është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejtë në 15 ministri se sa të presim më gjatë për 12 ministri”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se Konjufca nuk do të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit.
“Konjufca s’do të japë dorëheqje, por ai do të vijë në ekzekutiv”, ka thënë Kurti, i cili nuk ka bërë të ditur se çfarë posti të ri do të marrë Konjufca.