Mbreti dhe Mbretëresha e Anglisë mirëpritën çiftin presidencial amerikan, Donald dhe Melania Trump, në kështjellën e tyre me një ceremoni me nderime të larta.
Pasi zbritën nga një helikopter, ata arritën në Windsor me një procesion karrocash dhe roje nderi. Presidenti i SHBA-së dhe Mbreti ndanë një karrocë, ndërsa Zonja e Parë dhe Mbretëresha Camilla ndanë një tjetër.
Sipas raportimeve të mediave, Mbreti Charles angazhoi numrin më të madh të rojeve të nderit ndonjëherë në historinë moderne të Britanisë për një udhëheqës të huaj.
Mikpritësi shkëmbeu disa fjali me liderin amerikan, ndërsa më pas konsumuan një drekë pune. Trump do të vendosë një kurorë në varrin e Mbretëreshës Elizabet, e më pas do të shtrohet një banket shtetëror në Sallën e Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor.

Presidenti amerikan ka planifikuar të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministrin britanik Keir Starmer të enjten. Pritet që palët të firmosin marrëveshje të rëndësishme si dhe të japin mesazhe të forta për mbarë botën.
Ndërkohë, vizita e Trump është pritur me protesta për shkak të afrimitetit që ka pasur me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Katër persona janë arrestuar pasi imazhet e Trump dhe të Epstein u projektuan në Kështjellën Windsor.