Në bisedën telefonike të zhvilluar të premten “me kërkesë të Londrës”, pallati presidencial në Paris ka njoftuar se kryeministri britanik ka shprehur gatishmëri që të rivendosë linjat e bashkëpunimit midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, “në përputhje me vlerat dhe interesat e përbashkëta (klimën, rajonin e Indo-Paqësorit, luftën kundër terrorizmit dhe çështjet e tjera)”
Kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka propozuar të premten presidentit francez, Emmanuel Macron, “ripërtëritjen e bashkëpunimit mes Parisit dhe Londrës”, pas shpërthimit të krizës madhore diplomatike rreth nëndetëseve, ka njoftuar pallati presidencial Elysee, pas bisedimeve të mbajtura mes dy krerëve.
Në bisedën telefonike të zhvilluar të premten “me kërkesë të Londrës”, Elysee ka njoftuar se Johnsoni ka shprehur gatishmëri që të rivendosë linjat e bashkëpunimit midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, “në përputhje me vlerat dhe interesat e përbashkëta (klimën, rajonin e Indo-Paqësorit, luftën kundër terrorizmit dhe çështjet e tjera)”, ka raportuar “Al-Jazeera”.
“Presidenti i është përgjigjur se i pret propozimet e tij”, shtohet në njoftim.
Biseda është zhvilluar vetëm dy ditë pasi që Macroni dhe presidenti amerikan, Joe Biden, e diskutuan çështjen nëpërmjet telefonit, në atë që ndikoi në uljen e tensioneve mes Parisit dhe Washingtonit lidhur me paktin e partneritetit strategjik midis SHBA-së, Australisë dhe Britanisë së Madhe. Ujdia e shpalosur më 15 shtator ka nxitur shkëputjen e kontratës së majme, sipas së cilës Kambera zyrtare do të duhej të blinte nëndetëse nga Franca.
Pas bisedës me Bidenin, Macroni ka vendosur që ambasadori francez në SHBA, Philippe Etienne, të kthehet gjatë javës së ardhshme në Washingron, porse ende nuk ka marrë vendim lidhur me ambasadorin në Australi, të cilin Parisi e kishte tërhequr po ashtu gjatë javës së shkuar.
Për dallim prej tij, “Al-Jazeera” ka raportuar se tërheqja e ambasadorit francez nga Londra është cilësuar si e panevojshme ngase, siç ka thënë ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, “Britania e Madhe në krejt këtë rast është si vrima e fundit e kavallit”.
“Oportunizmi i vazhdueshëm britanik është gjë e njohur tanimë”, ka thënë ministri më 19 shtator, kujton “Al-Jazeera”.
Duke e vënë në pah pakënaqësinë lidhur me paktin, Parisi zyrtar kishte anuluar takimin e ministres së Mbrojtjes, Florence Parly, me homologun e saj britanik, Ben Wallace, i cili ishte planifikuar që të mbahej gjatë kësaj jave.
Johnsoni ka thënë të mërkurën se pakti i sigurisë AUKUS, që është arritur midis SHBA-së, Australisë dhe Britanisë për territorin e Indo-Paqësorit nuk është “ekskluziv” dhe nuk synon “ta përjashtojë ndokënd”.
Marrëdhëniet bilaterale Francë-Britani kanë qenë dukshëm të tensionuara muajve të fundit shkaku i kushteve të Brexit-it rreth peshkimit, si dhe çështjes së kontrollimit të emigrantëve, të cilët nga brigjet detare në jugun e Francës synojnë kalimin në Angli.