Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhen në Nju-Jork, ku do të përfaqësojë Shqipërinë në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, punimet e së cilës do të vijojnë gjatë gjithë kësaj jave.
“80 vjet përkushtim për paqe, barazi dhe bashkëpunim midis kombeve,” shkroi Presidenti Begaj në rrjetet sociale.
Ndërsa ministrja Spiropali tha se në këtë samit, Shqipëria vjen me një bilanc konkret kontributesh në forcimin e paqes dhe sigurisë në botë.
“New York – Gati për sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ku Shqipëria sot ulet me një bilanc konkret kontributesh për avancimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit shumëpalësh, si një aktor konstruktiv, i besueshëm dhe i principtë”, shkruan Spiropali.
Spiropali do të jetë e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm në Asamblenë e OKB me mesazhin “Më mirë së bashku: 80 vite dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejtat e njeriut”. Ajo do të marrë pjesë në disa takime të rëndësishme shumëpalëshe e bilaterale, ku në qendër të diskutimeve janë çështjet e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që zhvillohen deri më 27 shtator, pritet të mbajnë fjalime përfaqësuesit e 193 shteteve anëtare dhe dy vendeve me status vëzhgues, Selia e Shenjtë dhe Palestina. Përfaqësuesit palestinezë këtë vit do të lidhen virtualisht, pasi SHBA-ja u refuzoi vizat.
Në qendër të agjendës janë konflikti në Gaza dhe lufta në Ukrainë. Debatet e këtij viti pritet të fokusohen gjithashtu tek sanksionet e mundshme ndaj Iranit, krizat humanitare, klima, zhvillimi i qëndrueshëm dhe reformat për forcimin e kapaciteteve të OKB-së.