Fitorja e Ousmane Dembélé në edicionin 2025 të Topit të Artë ka shuar ëndrrën e Lamine Yamal për t’u bërë fituesi më i ri në histori i çmimit më prestigjioz individual në futbollin botëror.
Dembélé, pas një sezoni brilant me Paris Saint-Germain, ku shënoi 35 gola dhe dha 16 asistime, mori vlerësimin maksimal, duke lënë pas sensacionin spanjoll të Barcelonës.
Ndërsa francezët festonin, rrjetet sociale nisën të vërshonin me komente dhe analiza mbi momentin e shpalljes së fituesit, ku reagimet e disa prej të pranishmëve në sallë u bënë objekt diskutimi – veçanërisht ai i vetë Yamal, dhe më shumë akoma, ai i bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Raphinha.
Në videon e bërë virale, shihet qartë Dembélé që përqafohet me shokët e PSG-së dhe shkon për të takuar Yamal-in, i cili reagon me një duartrokitje të ftohtë dhe një buzëqeshje të përmbajtur. Por vëmendjen më të madhe e tërhoqi reagimi i Raphinha-s, i cili u duk jashtëzakonisht i gëzuar në momentin kur Dembélé u shpall fitues, pavarësisht se vetë nuk arriti as të afrohej te podiumi.
Kjo pamje ka ngjallur menjëherë spekulime për tensione të fshehta apo xhelozi brenda skuadrës katalanase. Në rrjet kanë nisur të qarkullojnë teori se Raphinha, ndoshta i zhgënjyer nga pozita e tij aktuale në hierarkinë e Barcelonës, ka përjetuar njëfarë kënaqësie nga humbja e bashkëlojtarit të tij të ri, Lamine Yamal.
Për momentin, as klubi dhe as vetë futbollistët nuk kanë reaguar zyrtarisht, por mediat spanjolle raportojnë se ky moment ka krijuar “krisje të padukshme” në dhomën e zhveshjes së Barçës. Kujtojmë që Yamal, vetëm 18 vjeç, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar Barcelonën të fitojë La Liga-n, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërkohë që vetë ka shënuar 18 gola dhe ka qenë protagonist edhe me kombëtaren spanjolle.
Përkundër zhgënjimit, Yamal nuk u largua pa trofe nga ceremonia, pasi u shpërblye me Kopa Trophy, çmimi që i jepet lojtarit më të mirë në botë nën moshën 21 vjeç.