Vijon të jetë e mbushur me mister vdekja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Salari të Tepelenës. Ai ishte ftuar për gjueti në zonën malore nga miqtë e tij Eqerem Braçi dhe djemtë e tij por u gjet i vdekur në rrugë.
Katër personat që shoqëronin italianin u shoqëruan nga policia, madje njëri prej tyre si i dyshuar për vrasje, por u lanë të lirë pas maratonës së marrjes në pyetje. Edhe pse të shoqëruarit kanë dhënë dëshmi kontradiktore, sërish grupi hetimor nuk ka gjetur prova për t’i akuzuar shoqëruesit.
Policia dhe prokuroria ende nuk kanë dale me një version zyrtar se cili është shkaku i vdekjes se 44-vjeçarit.
Në trupin e viktimës është shkaktuar një plagë e madhe në arterien e këmbës, por ende nuk ka një version se çfarë e ka shkaktuar dhe nëse është hemorragjia shkaku i vdekjes.
Edoardo Sarchi është ftuar nga Braçet për gjueti, por askush nuk ka dhënë informacion të vlefshëm se çfarë ka ndodhur.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë gjahu të cilat janë dërguar për ekspertize nëse prej tyre është bërë qitje.
Ngjarja vijon të jetë e mbuluar me mister edhe për shkak të mungesës së dëshmive nga ngjarja dhe deri tani as policia dhe as prokuroria nuk kanë dhënë detaje.
Të dy mjetet me të cilat grupi ka qenë në gjueti nuk kanë dëmtime nga armët dhe në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja çka shton dyshimet se plaga në femurin e viktimës mund të jetë shkaktuar nga armë gjahu.
Trupi i italianit është dërguar në morgun e Tiranës, aty ku pritet të saktësohen edhe shkaqet e vdekjes çka ndoshta do të përcaktonte edhe pistën e saktë të hetimit.