Më 30 shtator 2000, bota u përball me një prej pamjeve më të dhimbshme dhe të paharrueshme.
Në Saladin Road, në jug të Gazës, kameramani palestinez Talal Abu Rahma filmoi një skenë që do të shënonte historinë: babai Jamal al-Durrah teksa përpiqej të mbronte me trupin e tij djalin 12-vjeçar, Muhammad, teksa plumbat binin si shi mbi ta.
Pak minuta më vonë, djali i vogël ndërroi jetë në krahët e të atit.
Pamjet e transmetuara nga televizioni francez France 2 bënë xhiron e botës, duke u kthyer në simbolin e dhimbjes palestineze, pasuar me një stuhi debatesh dhe akuzash.
Për vite të tëra, Izraeli mohoi përgjegjësinë, duke vënë në dyshim vërtetësinë e videos. Madje, deri në vitin 2013, pas një beteje të gjatë ligjore në Francë, gjykata i dha të drejtë France 2 dhe kameramanit duke ndëshkuar me gjobë një komentator francez që i kishte akuzuar për “inskenim”.
Sot, 25 vite më vonë, Talal Abu Rahma kujton çdo sekondë të asaj dite. Ai përshkruan momentet e tmerrit me breshëri plumbash.

“Nuk dija çfarë të bëja, të vazhdoja të xhiroja apo të vrapoja për të shpëtuar veten. Por isha gazetar. Kjo ishte puna ime”, rrëfen ai.
Në fund, ai filmim u shndërrua në një dëshmi të pakontestueshme të asaj që ndodhi.
Por për Talalin, plagët nuk u mbyllën kurrë. Që prej vitit 2017, atij i është ndaluar të kthehet në Gaza. Aktualisht jeton mes Greqisë dhe Jordanisë me familjen e tij, duke vijuar të punojë si gazetar, por gjithmonë i mbërthyer pas kujtimeve të 30 shtatorit 2000.

Në zyrat e France 2 atë ditë, kur pamjet e Muhammad al-Durrah u shfaqën për herë të parë, kolegët e tij e kuptuan menjëherë se kishin parë diçka që do të mbetej në histori. Sot, 25 vite më vonë, imazhi i djalit të vogël të vrarë në prehrin e babait të tij vijon të jetë simbol i një lufte që nuk ndalet dhe që merr jetë të pafajshme.
25 vite pas asaj dite të përgjakshme, bota kujton Muhammad al-Durrah, djalin që u bë fytyra e dhimbjes palestineze.
