Kosova po kthehet në një destinacion për vuajtjen e dënimeve të të burgosurve jo-rezidentë nga vendet e Evropës. Pas marrëveshjes 10-vjeçare me Danimarkën, që parasheh dërgimin e 300 të burgosurve në burgun e Gjilanit, tashmë edhe Belgjika po shqyrton një plan të ngjashëm.
Dy ministre belge, Annelies Verlinden e Drejtësisë dhe Anneleen Van Bossuyt, ministre për Azilin dhe Migracioni, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Kosovë dhe Shqipëri, për të diskutuar mundësinë e dërgimit të të dënuarve jo-belgë në këto vende, për të lehtësuar mbipopullimin e burgjeve në Belgjikë.
Përveç kësaj, delegacioni belg synon marrëveshje për bashkëpunim juridik dhe ndarje të aseteve kriminale, si dhe kthimin e shtetasve shqiptarë që po vuajnë dënimin në Belgjikë. Aktualisht 307 shqiptarë janë të burgosur atje, nga të cilët 253 pa të drejtë qëndrimi.
Ministrja Verlinden tha se Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në hetimet belge si qendër për pastrim parash, trafikim njerëzish dhe kontrabandë armësh, ndërsa Shqipëria mbetet partnere kyçe në luftën kundër trafikut të drogës.