Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian, të mërkurën do të propozojë reformat rreth mënyrës se si blloku do të pranojë anëtarët e rinj në një përpjekje për të bindur presidentin francez, Emmanuel Macron, të heq veton e tij ndaj negociatave për anëtarësim, transmeton Koha.net.
Reuters sjell disa fakte për gjashtë aspirantët e Ballkanit:
Shqipëria
Komisioni Evropian ka rekomanduar që Shqipëria, që tashmë është anëtare e NATO-s, t’i nisë formalisht negociatat për anëtarësim, por Tiranës ende i duhet aprovimi nga 27 qeveritë e BE-së për t’i nisur bisedimet, të cilat edhe nëse nisin do të zgjasin disa vite.
Bosnja
Në luftë nga viti 1992 deri më 1995, Bosnja ende mbikëqyret nga paqeruajtës të drejtuar nga BE-ja. Ajo ka paraqitur aplikimin për anëtarësim në BE më 2016, kërkesë e cila pret aprovimin. Kjo do të thotë se vendi ende nuk është kandidat edhe pse shihet me potencial.
Kosova
Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, dëshiron të anëtarësohet në BE por është larg saj. I duhet t’i rregullojë raportet me Serbinë përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, që do të rinisin nga shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Sllovakia, Spanja, Greqia, Qipro dhe Rumania.
Maqedonia Veriore
Maqedonia Veriore, sikurse Shqipëria, është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE dhe i duhet aprovimi i qeverisë së BE-së për t’i nisur negociatat. Perspektiva e saj u përmirësua dukshëm pasi e tejkaloi mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë fqinje për shkak të emrit, duke u pajtuar që të quhet Republika e Maqedonisë Veriore. Ajo pritet t’i bashkohet NATO-s më 2020.
Mali i Zi
Mali i Zi, që iu bashkua NATO-s më 2017, tashmë është në negociata për t’iu bashkuar BE-së dhe shihet nga Komisioni Evropian si vend i mundshëm për t’iu bashkuar bllokut gjatë kësaj dekade, bashkë me Serbinë.
Serbia
Vendi më i madh i Ballkanit me 7 milionë banorë, edhe Serbia është në mes të negociatave për anëtarësim. Ajo shihet si bosht i rajonit dhe BE-ja shpreson se ndikimi i Beogradit në Ballkan mund t’i ndihmojë tjerët në reforma. Shkurtin e vitit 2018, Komisioni tha se Serbia mund t’i bashkohet BE-së deri më 2025, ndonëse është thënë se kjo datë është shumë ambicioze.