Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit “kokë më kokë”, deklaroi se diskutimet mes tyre kanë prekur të gjitha temat me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë që Komisioni Evropian i jep rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian.
“Me presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur gjithë temat e interesit të përbashkët. Natyrisht që, për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që e vlerësojmë shumë, fakti që presidentja dhe komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Ballkanin Perëndimor.
Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave me BE, një proces që në këndvështrimin tonë dhe sa u dëgjova nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se procesi i negociatave me BE-në po ecën me mbarësi dhe shpejtësi, duke u mbështetur edhe në vlerësimet pozitive nga Presidentja e KE-së. Ai foli gjithashtu për planin e ri të rritjes që Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili synon të mbështesë më tej reformat e nevojshme për integrimin.
“Folëm për planin e ri të rritjes që BE, KE ka vënë në dispozicion BP duke i dhënë mundësi çdo vendi, të financohet nga BE në mbështetje të thellimit të mëtejshëm të reformave.
Edhe në këtë pikë morëm një vlerësim shumë pozitiv dhe do vazhdojmë të kryejmë me përpikëri dhe këmbëngulje detyrat që kemi marrë përsipër” nënvizoi Rama.
Gjatë konferencës, u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit dhe sigurisë në rajon, duke pasur parasysh rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në zemër të Evropës.
Rama theksoi edhe një herë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për proceset reformuese në Shqipëri, duke shtuar se pa këtë bashkëpunim, përparimi në negociatat për anëtarësim nuk do të ishte i mundur.

“Me ju në çdo hap”, Von Der Leyen: Zgjerimi nuk është çështje gjeopolitike, por e njerëzve
Për presidenten Von der Leyen, mbërritja të hënën në Shqipëri ishte pikënisja e turneut të saj vjetor në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e saj, shefja e BE-së vlerësoi përparimin e vendit me reformat e kërkuara nga Brukseli, duke e konkretizuar me shembuj në tri fusha të ndryshme.
“Së pari keni bërë një progres shumë të fortë në reformat kyçe. Jam shumë e kënaqur për dhënien e 100 milionë eurove dhe tani kemi për ta zbatuar këtë plan. Tani jemi në rrugën e duhur që Shqipëria të aksesojë nga i gjithë fondi në bazë të Planit të Rritjes. Janë afërsisht 1 miliard euro. Së dyti, është zona e vetme e pagesave në euro. Më kujtohet dy vite më parë kur ne folëm që Shqipëria do të bëhej pjesë e SEPA-s. Ky dukej një projekt ambicioz, por pas dy vitesh ju e realizuat. Prej javës së kaluar transferimet e parave janë shumë më të sigurta dhe shumë më të lira. Së treti, roaming. Në vitin 2023 në Tiranë ne arritëm një marrëveshje shumë të rëndësishme me operatorët. Vitin që do të vijë do të heqim të gjitha tarifat e roaming-ut midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo është shumë e mirë për turizmin dhe veçanërisht që t’i sjellim së bashku popujt tanë,” tha presidentja Von der Leyen.
Presidentja pranoi se qëllimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur negociatat me BE-në brenda 2027-ës është ambicioze në vetvete, por e arritshme.
“Qëllimi juaj është që të mbyllni negociatat deri në vitin 2027. Kjo në fakt është ambicioze, por ne na pëlqen ambicia dhe dëshirojmë të sigurojmë që ne jemi të gatshëm. Do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge, sepse momenti gjeopolitik është tani. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë... Mesazhi im i fundit është ky: zgjerimi nuk është çështje ekonomike apo gjeopolitike, por janë njerëzit,” u shpreh presidentja e KE-së.