Me thirrjen “Liri për çlirimtarët”, mijëra qytetarë kanë protestuar të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë kundër procesit të zgjatur të gjykimit nga Gjykata Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte, por e kanë kryer detyrën më të lartë që e njeh historia.
E Ali Ahmeti, ish-themelues i UÇK-së dhe ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka bërë thirrje për bashkim të skenës politike.
Ndërkaq Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se përmes “gjykatave të padrejta po përpiqet të barazohen viktima me xhelatin dhe të njolloset lufta e shenjtë”.
Organizatorët kanë paralajmëruar organizimin e protestave të tjera.
Ahmeti: Liria e Kosovës s’është arenë për politika individuale, duhet të bashkohemi

Një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për unitet mes shqiptarëve në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se “liria e Kosovës nuk duhet të shndërrohet në arenë për politika individuale e partiake”.
“Kështu qofshim përherë, Tirana, Prishtina e Shkupi. Po ngrisim zërin për drejtësi, për respekt, për luftën tonë të drejtë, për liri, demokraci, pavarësi dhe miqësi me SHBA-në e Evropën”, ka thënë Ahmeti gjatë tubimit “Drejtësi për çlirimtarët” që u organizua në Tiranë të premten.
Ai theksoi se zanafilla e krijimit të Gjykatës Speciale lidhet me “raportimet e rreme ruso-serbe për trafikim organesh”, të cilat, sipas tij, ishin të pavërteta dhe u hodhën poshtë nga Tribunali i Hagës.
“Dick Marty e riaktualizoi këtë temë me porosi ruso-serbe dhe inicioi raportin në Këshillin e Evropës që më pas detyroi themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë u krijua nga vetë Kosova për t’ia pamundësuar Serbisë ta themelonte përmes Rusisë”, theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se, pas rrëzimit të akuzave për trafikim organesh, prokuroria ndryshoi drejtim duke ngritur aktakuza të reja “në ditën kur po nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington”.
Sipas Ahmetit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës “ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftën dhe nuk ka shkelur ligjet e luftës”.
“Liria e Hashimit, Kadriut, Rexhepit, Jakupit e të tjerëve është e vonuar dhe duhet të vijë menjëherë”, theksoi ai.
Në fund, Ahmeti u bëri thirrje forcave politike shqiptare që të shmangin përçarjet dhe të ruajnë unitetin kombëtar.
“Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake e zgjedhore. Nuk është fushë pjellore për ndasi mes shqiptarëve. Duhet të bashkohemi, siç u bashkuam për Kosovën Republikë. Dikush pa vetëdijshëm po i shërben politikave të Beogradit dhe Moskës”, përfundoi fjalimin ai.
Moisiu: Lufta e Kosovës u fitua me gjak, çlirimtarët s’kanë kryer krime

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën më të lartë që e njeh historia – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit.
Në protestën në Tiranë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, Moisiu ka thënë se tubimi është me qëllimin për të mbrojtur dinjitetin kombëtar e të ngrihet zëri kundër padrejtësive që po u bëhet ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Më 2022, ishim në Hagë në dhomat e paraburgimit për t’u takuar personalisht me presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në takimin me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin frikësuar, por janë burra të fortë që qëndronin të qetë e të gatshëm për të sakrifikuar për të pastruar luftën e UÇK-së dhe gjithë popullit kosovar, nga njolla që padrejtësisht po përpiqen t’i japin ata që s’ua duan të mirën shqiptarëve. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet”, ka thënë Moisiu.
Ai ka shtuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së po mbahen pa prova në paraburgim.
Ka theksuar se është koha që të mos heshtet më.
“Liria e Kosovës nuk është dhuratë. Ajo u fitua me gjak me sakrifica e vendosmëri ndaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të vendosur dhe të bashkuar për të mbrojtur të ardhmen e kombit tonë”, ka thënë ai.
Gucati: Kjo protestë s’është politike, nuk do të lejojmë të përdhoset emri i komandantëve

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se protesta në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk është politike, por është protestë e popullit shqiptar.
Gucati mbajti fjalimin hapës në tubimin që ka mbledhur mijëra njerëz në sheshin “Skënderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë nën moton “Drejtësi për çlirimtarët”.
“Sot po protestojmë për ta ngritur zërin për drejtësi, jemi këtu për ta mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së, për ta mbrojtur nderin e çlirimtarëve tanë. E ka dëshmuar historia që UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare”, u shpreh Gucati.
Ai theksoi se përmes “gjykatave të padrejta po përpiqen ta barazojnë viktimën me xhelatin e ta njollosin luftën tonë të shenjtë”. Por kjo, sipas Gucatit, nuk do të lejohet. Ai shtoi se proceset në Hagë janë të padrejta.
“Nuk do ta lejojmë të përdhoset emri i komandantëve tanë të shenjtë. Kjo protestë s’ka lidhje me politikën. Kjo është protestë e popullit shqiptar. S’po kërkojmë mëshirë, por drejtësi. Tirana është sot kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Kosova ka luftuar për çlirim, nuk ishim kriminelë. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim të shqiptarëve. Proceset në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Liri për çlirimtarët tonë”, ka deklaruar Gucati.