Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për protestën e sotme në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kështu, “Anadolu” shkruan se në kryeqytetin e Shqipërisë u mbajt protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton “Unë jam UÇK”.
“Në Shqipëri është mbajtur një protestë kombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me moton “Unë jam UÇK”, raporton Anadolu.
Po ashtu, media prestigjioze “The Telegraph” shkruan se mijëra shqiptarë ishin në protestë në sheshin “Skënderbej”.
“Veteranët e luftës së Kosovës dhe mijëra mbështetës të tyre u mblodhën të premten në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në një protestë kundër një gjykate të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e cila po ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që luftuan në luftën e viteve 1998-1999 për pavarësinë nga Serbia, duke pretenduar se tribunali është i njëanshëm dhe i padrejtë”, thuhet në shkrimin e The Telegraph.
Ndërsa, media “The Washington Post” raporton se shqiptarët u mblodhën në sheshin qendror të vendit, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.
“Protestues nga Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin kryesor “Skënderbej” në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) — një ish-grup guerrilësh shqiptarë të Kosovës që udhëhoqi luftën për pavarësi”, thuhet në shkrim.
Kujtojmë se mijëra shqiptarë, nga të gjitha trojet shqip-folëse, ishin sot në sheshin “Skënderbej”, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, që mbahen në Hagë.