Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u zotua se do të sigurojë kthimin e trupave të të gjithë pengjeve të vdekur që ende mbahen në Gaza.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, ai u takua me familjet e dy qytetarëve amerikanë, Itay Chen dhe Omer Neutra, të cilët u vranë gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
“Ne nuk do të harrojmë jetët e pengjeve që vdiqën në robërinë e Hamasit,” shkroi Rubio në platformën X.
Rubio gjithashtu deklaroi se SHBA mund të kërkojë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për mbështetjen e një force ndërkombëtare stabilizuese në Gaza, për të mundësuar pjesëmarrjen e më shumë vendeve.
Ai tha se vende si Indonezia dhe Azerbajxhani kanë shprehur interes, por presin më shumë detaje për misionin dhe rregullat e angazhimit.
Ai shtoi se SHBA po bashkëpunon ngushtë me Katarin, Egjiptin dhe Turqinë — ndërmjetës të armëpushimit — për të parandaluar sulme të mundshme nga Hamasi.
Javën e kaluar, SHBA paralajmëroi për një sulm të mundshëm ndaj civilëve palestinezë, por falë koordinimit, ai nuk ndodhi.
Departamenti i Shtetit tha një javë më parë se kishte “raporte të besueshme” se Hamasi mund të shkelte armëpushimin me një sulm ndaj civilëve palestinezë në Gaza.
“Ne dërguam një mesazh përmes Departamentit të Shtetit, ua dërguam edhe ndërmjetësve tanë, në lidhje me një sulm të afërt, por kjo nuk ndodhi”, tha ai. “Pra, ky është qëllimi këtu, në fund të fundit të identifikohet një kërcënim përpara se të ndodhë.”
Itay Chen, 19 vjeç, ishte ushtar në kufirin me Gazën kur u vra nga Hamasi më 7 tetor 2023. Trupi i tij u mor nga militantët. Omer Neutra, 21 vjeç, me origjinë nga Nju Jorku, kishte ardhur në Izrael për të përjetuar vendin e prindërve dhe ishte vullnetar në ushtri kur u vra po atë ditë.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, të gjitha 20 pengjet e gjalla janë liruar. Deri tani janë kthyer trupat e 15 pengjeve të vdekur, ndërsa 13 trupa të tjerë mbeten ende në Gaza.
Në këmbim, Izraeli ka liruar rreth 2,000 të burgosur palestinezë dhe ka kthyer dhjetëra trupa palestinezësh.




