E njohur dikur si vend i prapambetur stalinist, Shqipëria sot është një nga kandidatet kryesore për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe ka një komedian që kandidon për kryetar bashkie në kryeqytet.
Nga William Booth dhe Fjori Sinoruka – Washington Post/
Diçka interesante po ndodh në Shqipëri. Qeveria ndaloi TikTok-un për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimet e këqija në rrjetet sociale. Presidenti emëroi një program inteligjence artificiale si ministër për të luftuar korrupsionin. Ndërkohë, një nga komedianët më të njohur të vendit, i famshëm për imitime thumbuese të kryeministrit që ka vite në pushtet, tani po kandidon për kryetar bashkie në kryeqytet.
Shtrohet pyetja: A mund të ndihmojë ndjenja e humorit dhe mënyra e të menduarit ndryshe një vend të vogël ballkanik të futet në Bashkimin Europian? Ekspertët thonë me seriozitet se kjo s’mund të dëmtojë, përkundrazi, ndihmon. Sidomos për Shqipërinë, e cila ka vuajtur gjatë nga një imazh i keq: më parë regjim stalinist, më pas krim i organizuar.
Megjithatë, Shqipëria duhet të ketë bërë diçka mirë, sepse tashmë konsiderohet gjerësisht si një nga kandidatët kryesorë për t’u bërë anëtare e 27 vendeve të Bashkimit Europian.
Dikur, Shqipëria ishte një nga vendet më represive (dhe më pak argëtuese) në botë. Ka shumë fjalë për ta përshkruar Shqipërinë gjatë 40 viteve të diktaturës së Enver Hoxhës, i cili ndërtoi 750 mijë bunkerë për t’u mbrojtur nga një pushtim i imagjinuar, por fjala “humor” nuk është njëra prej tyre.
Është gjithashtu e vërtetë se Shqipëria ende përballet me korrupsionin politik dhe me mafiet e fuqishme që merren me trafikimin e njerëzve dhe kokainës kolumbiane. Por në Bruksel ekziston një dakordësi se vendi ka bërë përparime në ndërtimin e një ekonomie moderne, në mbrojtjen e lirisë së medias dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
Aktualisht janë nëntë vende që ndodhen në procesin e gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Europian: Shqipëria, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia dhe Ukraina.
Deri tani, i vetmi vend nga Ballkani Perëndimor që ka hyrë në BE është Kroacia, që prej vitit 2013. Sot, Shqipëria dhe Mali i Zi shihen gjerësisht si kandidatët më të avancuar. Në vitet e fundit, centristët europianë kanë qenë të kujdesshëm për t’u shmangur “dramave të reja” si ajo e Hungarisë dhe Viktor Orbanit, i cili shpesh pengon konsensusin. Por me luftën që po zhvillohet në Ukrainë, BE-ja mund të jetë më e prirur të zgjerohet si mburojë kundër Rusisë agresive dhe ekspansioniste. Prandaj po kthen vështrimin nga lindja.
Shqipëria ka treguar se është e gatshme të eksperimentojë dhe të mendojë ndryshe.
Më herët këtë vit, ajo ndaloi hyrjen në TikTok për një vit pas vrasjes së një djali 14-vjeçar, që ngjalli frikë për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët.
Në shtator, kryeministri emëroi një bot të krijuar nga inteligjenca artificiale si ministre për të kontrolluar tenderët publikë dhe për t’u siguruar që ato janë të lira nga korrupsioni dhe ndikimi njerëzor. Ajo quhet Diella. Avatari i saj shfaqet i veshur me kostum tradicional shqiptar. Avatari mund të jetë një lëvizje publicitare, por inteligjenca artificiale është reale. Ekspertët po e ndjekin me vëmendje.
Erjon Curraj, studiues në Qendrën shkencë dhe inovacion për zhvillim, pajtohet se ka logjikë të përdoret inteligjenca artificiale për të shqyrtuar kontratat, por mendon se ta bësh “atë” ministre është e rrezikshme. “Kjo ngatërron një sistem teknik me një post politik, krijon boshllëqe përgjegjësie, rrit dobësitë e sigurisë dhe rrezikon të kthejë qeverisjen në spektakël në vend të përmbajtjes.”
Por pikërisht spektakli mund ta veçojë Shqipërinë, pasi vendet kandidate pritet të ndajnë “vlerat europiane”, dhe ndoshta një prej tyre është aftësia për të bërë shaka (dhe për të mos arrestuar shakaxhiun).
Në fillim të këtij muaji, satiristi i njohur shqiptar Florjan Binaj shpalli kandidaturën e tij të pavarur për kryetar bashkie të Tiranës. Ai mbështetet nga Partia Demokratike e opozitës.
Europa ka pasur përvoja me personazhe televizivë që janë bërë politikanë. Më i njohuri është Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, i cili u bë i famshëm për rolin e tij si president fiktiv në serialin ukrainas “Shërbëtori i Popullit.” Një tjetër ishte komediani italian Beppe Grillo, udhëheqësi i Lëvizjes Pesë Yje, i cili tronditi politikën italiane dhe u ndalua për një kohë nga televizioni publik. (Amerika, natyrisht, pati aktorin Ronald Reagan dhe më pas presidentin aktual që dikur ishte yll i Reality TV.)
Zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri janë caktuar për 9 nëntor dhe janë të nevojshme sepse ish-kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, anëtar i partisë në pushtet, u shkarkua nga detyra dhe po pret gjyqin për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon.
Binaj i tha “The Washington Post” se kandidon për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të zakonshëm në kryeqytet, me planifikim më të mirë urban dhe më shumë shërbime. Ai tha se Tirana e rinisë së tij ka ndërtime të tepërta dhe mungojnë shkollat.
Ai shtoi se nuk është vetëm komedian, por edhe aktivist social, ambientalist dhe arkitekt i diplomuar. Sipas tij, u fut në botën e aktrimit sepse dinte të bënte imitime dhe përfundoi duke bërë emisionin e tij televiziv për 18 vjet. Ai njihet kudo në Shqipëri.
Lutfi Dervishi, akademik dhe analist politik me qendër në Tiranë, tha se fushata e Binajt përfaqëson “një eksperiment të rrallë demokratik, një komedian që kandidon kundër modelit që imiton.”
Dervishi mendon se gara për kryetar bashkie ka të bëjë me më shumë se kush do të drejtojë bashkinë; ajo është një provë e gjendjes së opinionit publik. “Kandidatura e tij mund të shihet si simptomë e lodhjes nga politika tradicionale dhe si dëshirë për autenticitet, edhe kur shprehet përmes sarkazmës,” tha ai.
Binaj deklaroi se dëshiron ta çlirojë Shqipërinë nga politika e partive të mëdha, majtas apo djathtas, për të sjellë më shumë të pavarur dhe profesionistë në qeverisje, gjë që mund të ndihmojë gjithashtu në ngadalësimin e “ikjes së trurit”, me rreth 40 për qind të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Ne kemi dy rrugë përpara: korrupsionin dhe betonin, ose ndryshimin me njerëz të ndershëm e profesionistë,” tha ai gjatë shpalljes së kandidaturës së tij.
Ndër shumë personazhet që ka luajtur, Binaj bën një imitim të përkryer të kryeministrit Edi Rama, atij që po promovon inteligjencën artificiale dhe po ndalon TikTok-un, i cili së fundmi u rizgjodh për një mandat të katërt.
Rama nuk është një burrë me kostum gri. Ai është padyshim i popullarizuar, madje në disa raste tepër i spikatur. Ish-basketbollist profesionist dhe artist i formuar, ai preferon bluzat me mëngë të shkurtra, atlete moderne dhe kapele sportive.
Rama është udhëheqësi i Partisë Socialiste të qendrës së majtë dhe ish-kryebashkiak i Tiranës, ku një nga veprimet e tij të para pas periudhës komuniste ishte lyerja me ngjyra të ndezura e pallateve gri në stil sovjetik. Disa analistë e kanë quajtur Ramën një “populist eurofil.” Ai është pro-Amerikës, pro-NATO-s dhe pro-Bashkimit Europian.
Rama është gjithashtu paksa komedian vetë. I pëlqen të bëjë shaka, madje edhe në samite ndërkombëtare. Ai di të jetë provokues, dhe ndonjëherë pak arrogant. Duke folur në një panel publik në institutin britanik “Chatham House” javën e kaluar, Rama u tha kritikëve të Shqipërisë që të “mbyllnin gojën.”
Ai lavdëroi shqiptarët në Britani që, sipas tij, “bëjnë punët e vështira që britanikët nuk i bëjnë.” Këtë e tha me buzëqeshje, por shtoi se, krahasuar me pjesën tjetër të Europës që grindet, “Shqipëria është i vetmi vend i rritur në dhomë.”
Rama i tha audiencës britanike, ku ndodhej edhe Stephen Doughty, ministri laburist për çështjet europiane, se Brexit ishte një gabim kolosal që duhet të zhbëhet.
“Ju u larguat nga Europa sepse donit më shumë investime. Tani keni më pak. U larguat sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion,” tha ai.
Rama dikur e përgëzonte Binajn dhe imitimet e tij, duke e quajtur “një djalë të pashëm, të talentuar dhe të arsimuar, që mes shumë talenteve televizive është dalluar si sozia ime në emisionin më popullor dhe krijues,” në një postim në Facebook më 2020.
Tani, Rama është pak më kritik. Ai e quajti kandidimin e Binajt “një veprim të dëshpëruar nga ‘moçali'”, duke iu referuar opozitës që e mbështet komedianin. “Por nuk e gjykoj aktorin aspak keq për rolin e ri që ka marrë, sepse aktorët duhet të kenë një punë,” shtoi ai.
Andi Hoxhaj, ekspert për Ballkanin dhe pedagog në King’s College London, tha se kandidatura e një artisti dhe aktivisti të pavarur si Binaj “duhet parë si një shenjë pozitive e hapjes demokratike dhe e përparimit. Ajo pasqyron një shumëllojshmëri zërash dhe përvojash që hyjnë në politikë, ngjashëm me zhvillimet që kemi parë në vende si Italia dhe Ukraina.”




