Mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë në ditën e saj të 36-të, duke u bërë periudha më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara që qeveria ka qenë e paralizuar. Mbyllja, e cila filloi më 1 tetor, erdhi si pasojë e pamundësisë së Kongresit për të arritur një marrëveshje të re financimi. Kjo i ka lënë punonjësit e qeverisë pa pagesa dhe miliona amerikanë pa shërbime thelbësore.
Demokratët dhe Republikanët kanë qenë të bllokuar për javë të tëra pa asnjë shenjë kompromisi, megjithatë, disa shpresa po fillojnë të shfaqen.
Udhëheqësi i shumicës, John Thune, republikani më i lartë në Senat, tha se “ndjenja e tij” i thotë se një përparim i mundshëm mund të jetë afër.
“Thjesht mendoj, bazuar në intuitën time për mënyrën si funksionojnë këto gjëra, se po i afrohemi një zgjidhjeje”, tha Thune, citon BBC.
Rekordi i mëparshëm për mbylljen e qeverisë u shënua gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president dhe zgjati 35 ditë para se të përfundonte në vitin 2019.
Që prej fillimit të kësaj mbylljeje, ndikimet te amerikanët e zakonshëm janë përkeqësuar. Mijëra punonjës federalë kanë humbur tashmë pagesat, dhe ka frikë në rritje për ndikime të mëdha në udhëtimet ajrore në SHBA, pasi kontrollorët e trafikut ajror dhe stafi i aeroporteve po punojnë pa pagesë.
Të martën, Sekretari i Transportit Sean Duffy tha për Fox News se disa zona të hapësirës ajrore amerikane mund të duhet të mbyllen nëse mbyllja vazhdon. Rreth 13 mijë kontrollorë të trafikut ajror, që janë punonjës të qeverisë, po punojnë pa pagesë për shkak të mbylljes.
“Nëse jemi në të njëjtën situatë pas një jave, Demokratë, do të shihni kaos,” tha Duffy. “Do të ketë vonesa masive fluturimesh, anulime dhe ndoshta do të mbyllim disa pjesë të hapësirës ajrore sepse nuk do të mund ta menaxhojmë situatën pa kontrollorë të mjaftueshëm.”
Ndikimet janë ndjerë edhe nga amerikanët me të ardhura të ulëta që mbështeten në shërbimet qeveritare.
Një në tetë persona në SHBA varen nga ndihma ushqimore e Programit Shtesë të Ndihmës Ushqimore (Snap), por vetëm një pjesë e kësaj ndihme po shpërndahet këtë muaj për shkak të mungesës së financimit.
Administrata Trump fillimisht kishte thënë se nuk do të shpërndaheshin fonde Snap në nëntor, por një gjykatë amerikane urdhëroi që të përdoren fondet rezervë për të ofruar ndihmë. Që nga vendimi i së hënës, Trump ka treguar se mund të mos i dëgjojë gjyqtarët.
“Përfitimet e SNAP do të jepen vetëm kur Demokratët e Majtë Radikalë të hapin qeverinë, gjë që mund ta bëjnë lehtësisht, dhe jo më parë.”, shkroi ai në Truth Social. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se administrata do të ndjekë urdhrin e gjykatës.
Anëtarët e Senatit amerikan kanë votuar mbi të njëjtin projektligj afatshkurtër për financimin e qeverisë dhjetëra herë pa sukses. Ata u përpoqën sërish të martën, por pa rezultat.
Ky propozim u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve në shtator.
Demokratët deri tani kanë refuzuar të mbështesin masën afatshkurtër për financimin e qeverisë, përveçse Republikanët bien dakord për të zgjatur subvencionet për kujdesin shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta. Republikanët kanë kundërshtuar, duke akuzuar Demokratët se po mbajnë peng qeverinë për prioritete politike të palidhura.
Nëse arrihet një kompromis, të dy dhomat do të duhet të miratojnë legjislacionin e ri, sepse projektligji fillestar i miratuar nga Dhoma vetëm e mban qeverinë të financuar deri më 21 nëntor, një datë që po afrohet shpejt dhe nuk ka më kuptim, tha Thune.
“Nëse nuk fillojmë të shohim ndonjë përparim ose ndonjë dëshmi për këtë të paktën deri në mes të kësaj jave, është e vështirë të imagjinohet si mund të përfundojmë diçka deri në fund të javës”, tha Thune për gazetarët në Capitol Hill të martën. “Dhe mendoj se ky do të ishte objektivi këtu, të përpiqemi të marrim diçka që mund ta dërgojmë përsëri në Dhomë për të hapur qeverinë.”
Në ditët e fundit, ka pasur shenja se disa demokratë dhe republikanë të moderuar janë të gatshëm të negociojnë dhe të gjejnë një marrëveshje para Ditës së Falënderimeve më 27 nëntor.




