Ka nisur në Gjykatën e Tretë të Krimeve të Rënda në Romë gjyqi ndaj Mark Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, studentes shqiptare, e cila u vra në mars të këtij viti në apartamentin e Samson në Romë dhe trupi i saj u fut në valixhe dhe u hodh në një zonë pyjore në periferi të kryeqytetit italian.
Prokurorët e Romës, të koordinuar nga zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, kanë ngritur akuzën e vrasjes me dashje me paramendim, motiv të kotë, marrëdhënie emocionale me viktimën dhe fshehje të kufomës. Në bazë të provave të mbledhura gjatë hetimeve, është kërkuar dhe miratuar gjykim i menjëhershëm.
Në sallën e gjyqit ishin i pandehuri, familjarët dhe miqtë e Ilaria Sula-s, të cilët mbanin një foto të saj dhe mesazhin “Drejtësi për Ilarinë”.
Sipas LaPresse, avokati i familjes së viktimës, Giuseppe Sforza, ka deklaruar se pozicioni i nënës së Mark Samson po finalizohet dhe se asaj i është ofruar një marrëveshje prej dy vitesh burg në këmbim të pranimit të fajësisë. Ajo akuzohet për bashkëpunim në fshehjen e trupit dhe për pastrimin e gjakut nga vendi ku dyshohet se i biri vrau ish-partneren.
“Familja e Ilarias po e përjeton këtë moment me shumë tension dhe trishtim,” u shpreh avokati Sforza. “Ata kërkojnë drejtësi, por janë të vetëdijshëm se asnjë vendim gjykate nuk mund të zbusë dhimbjen që do t’i shoqërojë gjithmonë.”




