Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur një helikopter duket se bie nga qielli përpara se të përplaset në një fushë, ndërsa fluturonte mbi zonën e Boltonit, në Angli.
Sipas mediave britanike, incidenti ndodhi në Greater Manchester pak para orës 13:25, me dëshmitarë që raportuan se dëgjuan motorin e helikopterit të ‘fikej’ papritur.
Pas kësaj, piloti u detyrua të kryente një ulje emergjente në një fushë pranë Beaumont Road, në zonën Lostock të Boltonit.
Dëshmitarë okularë thanë se panë helikopterin ‘të rrotullohej’ në ajër përpara se të ‘binte nga qielli’.
Piloti, një burrë në të 60-at, arriti të dilte vetë në mënyrë të sigurt nga helikopteri, dhe fatmirësisht nuk u raportua për persona të lënduar.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 13:40, ndërsa një ambulancë ajrore mbërriti në vendngjarje pesë minuta më vonë, në 13:45. Një helikopter policie dhe disa ekipe zjarrfikësish u angazhuan gjithashtu në operacionin e reagimit.




