Metodologjia e re për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nga shoqëria civile shihet si frenim i zgjerimit dhe anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por jo edhe pengesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kjo metodologji që u miratua më 5 shkurt (2020), ka për qëllim rivendosjen e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se e njëjta nuk mund të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë sa mund të ndikojë skepticizmi te disa shtete anëtare të BE-së, si Franca e Holanda, të cilat nuk janë pajtuar deri më tani për futjen në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Arbresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë i ka përmbushur kushtet e kërkuara për liberalizim dhe se metodologjia e re e Komisionit Evropian, nuk mund të ndikojë në këtë proces.
Ajo çfarë u ka mbetur institucioneve të Kosovës sipas saj, është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kosova sipas Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, në të kaluarën është konsideruar se i ka përmbushur të gjitha kriteret, përkundër faktit që nevojitet të bëhet ende punë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos atij të profilit të lartë. Por, mbetet që të binden vendet skeptike, të cilat kanë penguar deri më tash liberalizimin e vizave, në mënyrë që liberalizimi i vizave të ndodh”, thotë Loxha.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se liberalizimi i vizave është proces i ndarë dhe se është drejt finalizimit.
“Ky proces, pak a shumë është i mbyllur, pritet vetëm konfirmimi i vendeve anëtare dhe të procedohet tutje, sepse sipas Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kjo normalisht nuk do të ketë kurrfarë ndikimi”, thotë Xhambazi.
Xhambazi thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse qeveria e re e shfuqizon tarifën 100 për qind të vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, liberalizimi do të mund të ndodhte më shpejt. Sipas tij, ky do të ishte një hap pozitiv dhe do të ndikonte në politik-bërjen e BE-së.
“Normalisht që do të pritet me pozitivitet në qoftë se tërhiqet taksa sepse nuk ka më asnjë argument se pse duhet të stagnojë liberalizimi i vizave apo edhe negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë Xhambazi.
Sa i përket dinamikës dhe kohës, drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arebresha Loxha, nuk pret që liberalizimi të ndodhë në gjysmën e parë të këtij viti.
“Unë nuk pres që kjo të ndodh në presidencën e Kroacisë, por mund të jemi ndoshta më pozitiv që kjo do të ndodhte në presidencën e gjermanëve, të cilët e marrin atë pas qershorit kur të përfundon presidenca ose lidershipi i Kroacisë”, thotë Loxha.
Për liberalizimin e vizave për Kosovën foli edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, i cili në fund të muajit të kaluar ishte për vizitë në Prishtinë.
Ai tha se “nuk mund të garantojë asgjë pasi që vendimi merret nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.
Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu zhgënjimin me mungesën e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se “Kosova është padrejtësisht e anashkaluar, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që nevojiten për liberalizim të vizave”.
Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arriti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës./REL