Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, po e vazhdon sot dëshminë e tij në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.
Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.
I pyet për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”, raporton Evropa e Lirë.
Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve,.
Prokurori Halling i bënte pyetje me këmbëngulësi Clarkut lidhur me deklarimet e tij para senatit amerikan më 1999 dhe 2000 lidhur me vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe shqetësimet e tij të shprehura asokohe se Serbia mund të tentonte të rikthehej në Kosovë.
Clark sqaroi për të se nuk mendonte se Serbia do të kthehej në Kosovë, por se si gjeneral ishte puna e tij të vlerësonte rreziqet dhe rrethanat e asaj kohe, “sepse ende nuk kishte një marrëveshje. Në fakt, nuk pati marrëveshje derisa Kosova u pavarësua më 2008”.
Ndryshe, në ditën e parë të dëshmisë, ai tha se Thaçi s’e udhëhiqte UÇK-në dhe se ajo s’kishte zinxhir komandues.
Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.




