Policia e Shtetit zhvilloi në Tiranë sesionin e radhës të Task Forcës së Përbashkët për Migracionin, një mekanizëm ndërkombëtar bashkëpunimi që po shndërrohet në një model suksesi në rajon dhe Europë.
Fillimisht produkt i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, Task Forca është zgjeruar duke përfshirë partnerët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me qëllim forcimin e luftës kundër migracionit të paligjshëm, krimit ndërkufitar dhe qarkullimit të aseteve kriminale, përfshirë kriptomonedhat.
Në takim morën pjesë drejtues të lartë të policive të vendeve pjesëmarrëse, mes tyre Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zyrtarë britanikë të inteligjencës dhe drejtues të policive të rajonit.
Ky sesion u vlerësua si tregues i angazhimit serioz të partnerëve për të forcuar veprimet e përbashkëta në parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale që shfrytëzojnë migracionin klandestin.
Proda deklaroi se bashkëpunimi me autoritetet britanike ka dhënë rezultate konkrete, përfshirë 49 operacione riatdhesimi dhe kthimin e 2099 shtetasve shqiptarë, gjithmonë duke respektuar të drejtat e njeriut.
Ai theksoi se tentativat për kalim të kanalit drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone janë ulur ndjeshëm, nga 12 753 raste në vitin 2022 në vetëm 644 në vitin 2024, një rënie që konfirmon efikasitetin e bashkëpunimit të strukturuar.
Përfaqësuesit e policive të rajonit nënvizuan nevojën për shkëmbim më të shpejtë informacioni, patrullime dhe kontrolle të përbashkëta, përdorim të teknologjive moderne dhe krijim të ekipeve të bashkuara hetimore. Drejtuesit nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut përmendën rezultate konkrete në parandalimin e kontrabandës, trafikimit, dokumenteve të falsifikuara dhe neutralizimit të grupeve kriminale ndërkufitare.
Task Forca do të vijojë aktivitetin operativ dhe koordinues me objektivin madhor të rritjes së sigurisë në rajon, goditjes së krimeve kufitare dhe gjurmimit të aseteve të paligjshme, duke garantuar një qasje të unifikuar dhe efikase për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe shteteve pjesëmarrëse.




