Policia spanjolle ka arrestuar një shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar.
Ai ishte duke u fshehur jashtë vendit për t’iu shmangur një dënimi që mund të arrinte deri në 30 vite burg.
Sipas mediave spanjolle, arrestimi u bë pasi i dyshuari kishte dokumente të falsifikuara, duke u regjistruar si qytetar kroat.
Kontrolli i të dhënave zbuloi se ndaj tij ishte lëshuar një njoftim nga Interpoli që prej majit, me kërkesë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Autoritetet shqiptare raportojnë se i arrestuari ishte i përfshirë në një operacion trafiku droge të nisur në shtator 2020, ku komunikonte me trafikantë të njohur për një ngarkesë të destinuar për Itali.
Ai akuzohet gjithashtu se paralajmëroi bashkëpunëtorët për një kontroll policor në banesën e tij, ku u sekuestruan 100 gram heroinë dhe pajisje për bllokimin e sinjalit.
Megjithatë, dyshohet se ai kishte marrë masa për të fshehur drogën dhe për të vazhduar aktivitetin kriminal. I arrestuari ndodhet aktualisht në pritje të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë.




