Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë sot më 24 nëntor 2025, ndaj një ish-komandanti të nënstacionit policor në Zhegër të Gjilanit, i cili dyshohet se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 1999 ka lejuar kryerjen e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për t’i parandaluar ato. Sipas organit të akuzës, ai ka dështuar të pengojë plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29 civilëve.
Hetuesit theksojnë se i akuzuari D.N. ishte plotësisht në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, që vepronin nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa pak ditë më herët, më 27 mars, ishte sulmuar edhe fshati Llashticë.
Në deklaratën e Prokurorisë Speciale thuhet se D.N., së bashku me eprorin e tij në Stacionin e Policisë së Gjilanit, kishte urdhëruar manipulimin e vendit të ngjarjes me synimin për të fshehur provat e krimit. Edhe pse të mbijetuarit e ngjarjeve i kishin dërguar një letër ku kërkonin ndërhyrjen e tij, ai nuk kishte marrë asnjë masë, as për të ndalur veprat, as për t’i raportuar për hetim, por kishte braktisur zonën ku po ndodhnin krimet.
Rasti tashmë pritet të trajtohet nga gjykata, ndërsa Prokuroria thekson se përgjegjësia komanduese nuk mund të shmanget kur krimet ndodhin nën juridiksionin dhe dijeninë e drejtuesve.




