Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se është i gatshëm të marrë në konsideratë planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Putini deklaroi se propozimi amerikan mund të shërbejnë “në parim” si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqësore.
Putin: Plani amerikan mund të përdoret si bazë për paqe
Kremlini publikoi detajet e telefonatës, duke theksuar se Putini ka bërë një dallim mes versionit fillestar me 28 pika të planit të SHBA-së dhe versionit të përditësuar të diskutuar në Gjenevë me pjesëmarrje evropiane.
Sipas njoftimit zyrtar, Putin ka deklaruar:
“Këto propozime, në versionin në të cilin i kemi shqyrtuar, janë në përputhje me diskutimet në samitin ruso–amerikan në Alaska dhe, në parim, mund të përdoren si bazë për një zgjidhje përfundimtare paqësore.”
Kjo deklaratë vjen në vazhdën e takimit të tij të zhvilluar në gusht me presidentin amerikan Donald Trump, të cilit Kremlini i referohet në komunikatë.
Nga ana tjetër, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur gatishmërinë e Ankarasë për të ndërmjetësuar dhe për të krijuar kontakt të drejtpërdrejtë mes Moskës dhe Kievit.
Sipas presidencës turke, Erdogan i ka thënë Putinit se Turqia është e përgatitur të ndihmojë në arritjen e një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ai ka rikthyer gjithashtu ofertën që Stambolli të jetë vendi ku palët mund të takohen për negociata.
Biseda Putin–Erdogan vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë po intensifikohen, ndërsa vëmendja është përqendruar te mënyra se si mund të ndërtohet një plan paqeje i pranueshëm për të dy palët.




