Në hyrje të qytetit të Librazhdit ka vijuar edhe sot ndërhyrja e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), si pjesë e aksionit për lirimin e sheshit të nevojshëm të projektit publik “Zgjerimi i segmentit rrugor Dalje Elbasan – Prrenjas – Qafë-Thanë, Faza IV”. Prej së martës së javës së kaluar, IKMT ka nisur prishjen e disa godinave të bizneseve që ndodhen përgjatë aksit, por këtë të martë përplasjet janë tensionuar për shkak të rezistencës së pronarëve.
Bizneset e prekura pretendojnë se vlera e kompensimit që kanë marrë është shumë më e ulët se ajo reale dhe se procesi i shpronësimit nuk pasqyron dëmin ekonomik që u shkaktohet. Ata deklarojnë se objektet i kanë boshatisur që prej 17 nëntorit 2025, por refuzojnë të lejojnë vijimin e prishjeve pa një zgjidhje financiare të drejtë.
Për të garantuar zbatimin e projektit, aksionit të IKMT i është bashkuar edhe policia e Librazhdit. Kryekomisarja Nertila Meta u ka bërë thirrje pronarëve që të mos pengojnë punonjësit e IKMT-së dhe paralajmëroi se çdo akt kundërshtimi do të procedohet ligjërisht.
Sipas IKMT-së, të gjitha godinat e parashikuara për prishje 22 objekte, disa deri në katër kate janë shpronësuar për interes publik, duke u zbatuar legjislacioni dhe procedurat përkatëse. Institucioni thekson se projekti është një investim strategjik që do të sjellë përmirësim të infrastrukturës, rritje të sigurisë rrugore dhe zhvillim të mëtejshëm ekonomik për qarkun e Elbasanit.
Ndërkohë, në terren situata mbetet e tensionuar, ndërsa IKMT pritet të vijojë prishjet sipas planit të punimeve të miratuara.
Shefja e policisë: Nëse pengoni punën e punonjësve të IKMT-së, për të cilët Policia e Shtetit është në mbështetje të tyre, ju do procedoheni ligjërisht. Ju lutem mos u bëni pengesë në mbarëvajtjen e punës. Ne jemi në mbështethe të IKMT. Për çdo veprim që ju do pengoni do të mbani përgjegjësi ligjore.
Pronari godinës: Se po thoni që jeni në mbështeteje të tyre. A ka ndonjë përfaqësues nga shteti që mbron popullin, na mbron ne qyqarët? Ne qyqarët na mbështete njeri, më qënë se ju mbështetni IKMT? Kur e kemi radhën në për mbrojtje.
Ne e kemi boshatisur godinën. Po ju a jeni në dijeni që në nuk kemi marrë pagesën? Ne i kemi marrë masta dhe jemi gati, por nuk kemi marrë pagesën. Ne po kundështojmë për lekët, jo për objektin. Kur e çuat letrën ju a ishit në dijeni që nuk janë dhënë lekët?/ News24




