Diplomatë, personalitete të komunitetit dhe media shqiptare e zvicerane nderuan Ditën e Flamurit.
Kongresszentrum Allresto në Bernë u mbush mbrëmjen e 24 Nëntorit me dritë, solemnitet dhe elegancë. Flamuri i Shqipërisë dhe ai i Zvicrës qëndronin të ngritur krah për krah në skenë, duke mishëruar miqësinë dhe respektin mes dy vendeve.


Në hyrje, stafi i Ambasadës dhe organizatorët, të veshur me kostume kombëtare, mirëpritnin të ftuarit me edukatë dhe ngrohtësi, ndërsa ekspozita etnografike me veshje tradicionale shqiptare, e vendosur brenda mureve të sallës, sillte një prekje të çmuar kulture dhe trashëgimie.
Programi u hap me prezantimin e Rezhina Prodës, e cila vendosi tonin ceremonial të mbrëmjes duke theksuar rëndësinë e Ditës së Flamurit për komunitetin shqiptar në Zvicër. Artistët Gentjana Tafili dhe Rafael Lishi sollën interpretimin solemn të himneve të Shqipërisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, një moment që u prit me heshtje të plotë respekti.

Pjesa kryesore e mbrëmjes ishte fjala zyrtare e Monika Zguro, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë. Me ton të qëndrueshëm institucional, ajo nënvizoi domethënien historike të 28 Nëntorit për kombin shqiptar, duke kujtuar ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në vitin 1443 dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912.

Ajo e lidhi festën edhe me 81-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, një tjetër moment kyç i historisë shtetformuese. “Dita e Pavarësisë është festa jonë përbashkuese. Kudo që jemi, ne shqiptarët bëhemi një: një flamur, një zemër dhe një atdhe.”
Në vijim, znj. Zguro theksoi rëndësinë e 55-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Zvicër, duke vlerësuar bashkëpunimin afatgjatë, partneritetin zhvillimor dhe respektin e ndërsjellë mes dy vendeve.
Ajo vuri në dukje kontributin e diasporës shqiptare në Zvicër: “Diaspora shqiptare në Zvicër është shembull integrimi dhe vlerash qytetare që pasurojnë realitetin shoqëror dhe profesional të këtij vendi.”

Programi vijoi me përshëndetjen e Amb. Pierre Yves Fux, Drejtor i Departamentit të Eurazisë në MPJ të Zvicrës, i cili vlerësoi marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe rolin e komunitetit shqiptar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes të dy vendeve.
Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të lartë diplomatikë dhe institucionalë, ndër ta: Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë; Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Bernë; Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut; Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih si dhe znj. Shukrije Ramadani, përfaqësuese nga Ambasada e Republikës së Kosovës. Të pranishëm ishin gjithashtu Dr. Vaxhid Sejdiu nga LAPSH-i “Kori Lulkuqet” Bernë, përfaqësues të jetës shoqërore, biznesit dhe mediave.
Ekspozita “Koleksioni Etnografik Kristian Zefi”



Çifti Zefi prezantoi një ekspozitë të çmuar me veshje tradicionale shqiptare nga trevat e ndryshme, mes tyre Shkodra dhe Kosova. Veshjet e ruajtura me kujdes, me motive të qëndisura dhe elemente të vjetra, sollën një ndjesi origjinale dhe një vlerësim të madh nga publiku.
Pianistja Flutura Bytyqi solli një performancë të shkëlqyer me melodi të frymëzuara nga tradita shqiptare, përfshirë “Moj e bukura Arbëri” dhe “Moj e bukura More” duke krijuar një atmosferë akoma më festive.

Mbrëmja u përmbyll me një koktej ku të ftuarit shijuan gastronominë dhe verërat shqiptare, ndërsa në ekran shfaqeshin pamje të Shqipërisë turistike, duke prezantuar peizazhet, qytetet dhe bukuritë natyrore të vendit.

Kjo mbrëmje në Bernë dëshmoi se, pavarësisht distancave, shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës ruajnë një lidhje të përbashkët me identitetin dhe historinë e tyre. Në një ambient ku diplomacia, kultura dhe komuniteti u ndërthurën natyrshëm, u rikujtua se shteti shqiptar, në thelb të tij, mbetet pikëreferenca e përbashkët e të gjithë shqiptarëve anembanë botës, një hapësirë identiteti, kulture dhe përkatësie, që i lidh brezat me rrënjët dhe simbolikat shtetërore, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë.




