Tradicionalisht, Fodor’s publikon çdo vit listën e destinacioneve “Go & No”, duke paralajmëruar udhëtarët për vendet ku problemet e mbingarkesës turistike, protestat, ndotja ose pasiguria po arrijnë nivele shqetësuese.
Edicioni i vitit 2026 rendit 8 destinacione ku udhëtarët këshillohen të tregojnë kujdes:
1. Parisi – Montmartre i tejmbushur
Lartësia ikonike e Montmartre, dikur lagjja e qetë bohemiane, sot tërheq më shumë vizitorë se Kulla Eiffel, me mbi 11 milionë turistë në vit.
Banorët ankohen se zona është bërë “e pajetueshme”, ndërsa projektet e rigjallërimit urban po shtojnë numrin e vizitorëve. Fodor’s sugjeron zonën Belleville si alternativë më të qetë.
2. Ishujt Kanarie – protesta anti-turizëm
Edhe këtë vit, Kanariet kryesojnë listën e “No”. Pavarësisht protestave kundër mbingarkesës dhe krizës së banesave, numri i vizitorëve vijon të rritet.
Trafiku, çmimet e larta dhe tensioni social po e kthejnë destinacionin në një pikë të nxehtë konflikti mes komunitetit dhe industrisë së turizmit.
3. Isola Sacra, pranë Romës – porti i ri i anijeve turistike
Një nga zonat e fundit të pacenuara pranë Romës rrezikon të humbasë qetësinë për shkak të ndërtimit të një porti të madh anijesh turistike.
Sipas ekspertëve, projekti mund të shkatërrojë habitate të rëndësishme dhe të çojë drejt një urbanizimi të padëshiruar. Sugjerimi: Terracina, një qytet bregdetar më i qetë dhe autentik.
4. Fshatrat alpine të Zvicrës – fama më e madhe se kapacitetet
Rajoni Jungfrau, me fshatra si Grindelwald dhe Lauterbrunnen, po përballet me numër të pakontrolluar vizitorësh, mungesë akomodimesh dhe sfida të qëndrueshmërisë.
Ekonomia lokale varet 90% nga turizmi, por zonës i duhet kohë për t’u rikuperuar. Alternativë: Sllovenia, me natyrë të ngjashme, por më të qëndrueshme.
5. Mexico City – tension social dhe mbingarkesë
Qyteti, një ikonë kulturore, po përballet me rritje të ndjenjave anti-turistike, grafite ofenduese dhe protesta kundër duke zhvendosjes së vendasve për shkak të rritjes së çmimeve dhe transformimit të lagjeve.
Shumë lagje kanë humbur autenticitetin, ndërsa çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm. Autoritetet po kufizojnë qiratë afatshkurtra. Alternativë: Panama City.
6. Glacier National Park, SHBA – ngrohja globale dhe mbingarkesa
Vendi ka humbur shumicën e akullnajave (vetëm 27 nga 150 kanë mbetur). Kjo po nxit edhe më shumë vizitorë gjatë periudhave të ndjeshme, duke shkaktuar trafik dhe dëmtim të habitatit.
Parku ka vendosur rregulla të rrepta hyrjeje. Për një “dimër të vërtetë”, rekomandohet Alaska.
7. Antarktida – rrezikohet ekosistemi më i brishtë
Udhëtimet me anije ekspeditash janë rritur mbi 100 mijë vizitorë në vit. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndërhyrja turistike po dëmton një prej ekosistemeve më të ndjeshme në botë. Sugjerim: Ishujt Faroe, me natyrë po aq mbresëlënëse.
8. Mombasa, Kenia – bukuri tropikale me sfida serioze
Prapa plazheve idilike fshihen probleme si mbipopullimi, humbja e autenticitetit, prania e turizmit seksual, ujërat e ndotura dhe krimi në portet e anijeve turistike.
Autoritetet po punojnë për përmirësime, por situata kërkon kohë për t’u stabilizuar. / Travel Off Path




