28 Nëntori, përveçse Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, shënon edhe një tjetër datë historike, ditëlindjen e Radio Tiranës, e cila sot feston 87-vjetorin e saj.
Më 28 nëntor 1938, valët e para të radios shqiptare u dëgjuan në mbarë vendin, duke hapur rrugën e informimit publik, kulturës, edukimit dhe profesionit të gazetarisë në Shqipëri.
Gjatë më shumë se tetë dekadave, Radio Tirana është shndërruar në një prej institucioneve më të rëndësishme mediatike të vendit, duke nxjerrë breza të tërë gazetarësh, folësish e teknikësh, që u bënë modele për publikun dhe për profesionistët e rinj.
Radio Tirana, 87 vite pas transmetimit të parë, vazhdon të mbetet një prej simboleve më të qëndrueshme të identitetit mediatik shqiptar, një vatër e traditës, profesionalizmit dhe zërit publik.
Dy prej emblemave të këtij institucioni, Liljana Shanto dhe gazetari i sportit, Pirro Ruvina, rrëfyen kujtimet dhe përvojat e tyre, duke sjellë emocione nga historia e radios.
Liljana Shanto: Pasioni e bën Radion të bukur
Liljana Shanto u shpreh se Radio Tirana ishte vendi ku ajo e gjeti veten dhe u formua profesionalisht.
“Jam e lumtur që mu dha rasti të punoj në Radio Tiranën. Kam bërë punën që doja. Radio është pasojë e shumë njerëzve që kanë dhënë kontributin e tyre. Kur erdha në Radio nuk dija asgjë. Më treguan çfarë duhej të bëja. Habitesha sepse ishte aq e bukur, e zhurmshme dhe plot të rinj. Pasioni e bën Radion të bukur.”
Ajo ka rrëfyer dhe një prej momenteve më të bukura, por gjithashtu edhe më të vështirat në karrierën e saj.
“Pasioni e bën Radion të bukur. Moment i bukur dhe i vështirë do e përmbledh vetëm në diçka: Ka qenë dhjetor që ishte muaji i mbjelljeve. Kisha shkuar në një kopësht për një mbjellje me kubikë dhe e bëra emision, u pëlqye shumë. Emisionet e kopshti na dëgjoheshin dhe në Komitetin Qendror, Erdhi një i dleeguar dhe na mblodhi në Radio dhe përmendi emisionin tim. Kur më tha emrin, ngriva se mendova se do më hiqnin, por ai erdhi për të më lavdëruar”, deklaroi Shanto.
Pirro Ruvina: Në Radio Tirana mbetesh i përjetshëm
Gazetari i njohur i sportit, Pirro Ruvina, kujtoi fillimet e tij dhe ADN-në e këtij institucioni. Ai theksoi se qytetarët linin dasmat vetëm për të dëgjuar emisionin e sportit.
“Unë erdha rastësisht në Radio. Në atë kohë hyhej me konkurs. M’u tha se kisha fituar një vend tek lajmet. Lajmet ishin gjëja më nevrike. Ishin ccdo orë lajmet. Aty gjeta një kolektiv të jashtëzakonshëm. Nëse cdo njeri ka një familje të vogël, ne kishim familjen e madhe të Radio Tiranës. Kam gjetur njerëz të jashtëzakonshëm”, rrëfeu ai.
Ai përmendi edhe figurën ikonike të gazetarisë sportive, Ismet Bellova, i cili për 75 vjet nuk e ndërroi Radio Tiranën, dhe për të cilin tha se hyn në rekorde si një nga karrierat më të gjata në median shqiptare.
“Në Radio Tirana ka një veçori: mbetesh i përjetshëm. Për Sportin , ishte nje emblemë, është për librin Guinnes për 75 vjet nuk e ndërroi Radio Tiranës, z.Ismet Bellova. Atëherë njerëzit linin dasmat për të dëgjuar emisionin e sportit.”, tha ai.




