Ibrahim Rugova do të festonte sot 81 vjetorin e tij të lindjes, edhe pse personaliteti i tij politik është pjesë e padiskutueshme e ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës dhe rrugëtimit të vendit për të gjetur veten.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditëlindjen e ish Presidentit Rugova e ka quajtur atë arkitekt të pavarësisë, duke theksuar se ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.
“Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm”
Ndërsa ministrja e jashtme e shqipërisë Elisa Spiropali e ka etiketuar Rugovën me një prijës politik dhe shpirteror misionar, që nuk ngjante em askënd.
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.”
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 dhe ndërroj jetë në 21 janar të vitit 2006.
Ishte politikan, studiues dhe shkrimtar, i cili shërbeu si Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe sërish nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në vitin 2006.
Ai mbikëqyri një luftë popullore për pavarësi, duke mbrojtur një rezistencë paqësore ndaj sundimit serbo–jugosllav dhe duke lobuar për mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës.
Rugova ishte nje nga bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike mbarëpopullore, e shndërruar në parti.
Ai u zgjodh që në fillim kryetar i saj dhe qëndroj aty deri kur ndërroj jetë.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur hero i vendit.




