Mes Moskës dhe Ankarasë shfaqen shenja nervozizmi. Një anije cisternë me flamur rus që lundronte nga Rusia për në Gjeorgji e ngarkuar me vaj luledielli raportoi se u sulmua në brigjet turke. Por 13 anëtarët e ekuipazhit të saj mbetën të padëmtuar, tha autoriteti detar i Turqisë.
Anija, MIDVOLGA-2, nuk bëri kërkesë për ndihmë dhe vazhdoi drejt portit Sinop të Turqisë, njoftoi Drejtoria e Çështjeve Detare në X. Nuk dha detaje shtesë, por media NTV tha se sulmi përfshinte një dron kamikaz.
I pyetur në lidhje me sulmin e fundit, një zyrtar turk tha se “mesazhet e nevojshme iu përcollën palëve përkatëse, përfshirë autoritetet ukrainase”, por nuk dha më shumë detaje. Presidenti Recep Tayyip Erdogan, tha më herët se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi ishin të papranueshme, duke lëshuar një paralajmërim për “të gjitha palët e përfshira”.
“Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka arritur në një pikë ku kërcënon qartë sigurinë e lundrimit në Detin e Zi. Shënjestrimi i anijeve tregtare në zonën tonë ekskluzive ekonomike sinjalizon një përshkallëzim shqetësues. Ne nuk mund t’i tolerojmë këto sulme, të cilat kërcënojnë sigurinë e lundrimit, të jetës dhe të mjedisit, veçanërisht në zonën tonë ekskluzive. Ne po lëshojmë paralajmërimet e nevojshme për të gjitha palët në lidhje me situata të tilla”, tha Erdogan.
Turqia, një anëtare e NATO-s, ka mbajtur marrëdhënie të përzemërta si me Kievin ashtu edhe me Moskën gjatë gjithë luftës. Ajo i ka ofruar mbështetje ushtarake Ukrainës, por ka refuzuar t’i bashkohet regjimit të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.




