Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se Evropa duhet të ndërtojë kapacitete të pavarura sigurie nëse synon të jetë një fuqi e madhe globale.
Në një intervistë televizive për “La 7”, ajo komentoi strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, e cila sugjeron se kontinenti evropian duhet të bëhet më autonom në mbrojtje.
Meloni theksoi se mbështetja tek aktorë të tjerë për sigurinë “vjen domosdoshmërisht me një kosto”, ndërsa vetëmbrojtja për Bashkimin Evropian është një “proces i pashmangshëm dhe një mundësi”.
Sipas saj, investimet e rritura në siguri kanë kosto ekonomike, por në fund sjellin liri të vërtetë politike.
Ajo sakaq hodhi poshtë zërat për një “çarje” mes SHBA-ve dhe BE-së, duke theksuar se shumë nga vlerësimet amerikane për politikën evropiane janë të sakta dhe reflektojnë një situatë të kahershme.
Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Meloni ripërsëriti se qëndrimi i Italisë ka qenë i qartë që në fillim: mbështetje Ukrainës me qëllim ndërtimin e paqes.
“Paqja ndërtohet përmes parandalimit, jo vetëm përmes qëllimeve të mira”, u shpreh ajo.
Sa i përket njohjes së Palestinës, Meloni theksoi se Italia është e detyruar nga një rezolutë parlamentare që parashikon kushte specifike, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe përjashtimin e tij nga çdo rol i ardhshëm në Gaza.




