Një gjykatë në Kanada ka vendosur që Ëngjëll Brahimi, i akuzuar për vrasjen e një polici dhe djalit të tij në vitin 2000 në Fier, të mos ekstradohet nga Kanadaja.
Brahimi u dënua me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e oficerit të policisë Astrit Braçe dhe djalit të tij tetë vjeçar, Asllan, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht të vitit 2000 në Fier. Ai u arratis dhe u arrestua më vonë në Kanada, ku fshihej nën identitetin e Piro Kota, në mënyrë që t’i fshihej drejtësisë shqiptare.
“Gjykatësi ka vlerësuar me të drejtë se prova e paraqitur nuk ishte e mjaftueshme për të urdhëruar ndalimin”, thuhet në vendimin e dhënë të premten në Montreal.
Sipas autoriteteve shqiptare, Brahimi dyshohej se kërkonte të merrte hak për vdekjen e vëllait të tij. Megjithatë, ai akuzohej se kishte vënë në shënjestër shefin e hetimeve të një Qarkut Fier, teksa ky i fundit po shkonte me familjen drejt plazhit.
“Një makinë Audi del papritur nga një pyll i vogël dhe i zë në pritë. Një burrë zbret me një armë automatike dhe qëllon disa herë…”, thuhet në dokumentet e gjykatës. Në këtë sulm, një fëmijë 8-vjeçar mbeti i vrarë, ndërsa polici mundi të ikte. Ai u gjet më vonë pranë një lumi, ku u ekzekutua nga njëri prej sulmuesve.

Brahimi në vitet 2000.
Gruaja e viktimës identifikoi Brahimin pesë muaj pas ngjarjes. Kur autoritetet shqiptare tentuan ta arrestonin, ai ishte larguar tashmë, fillimisht drejt Greqisë, e më pas në Kanada, ku arriti madje të marrë edhe shtetësinë kanadeze.
E kaluara e Brahimit u rikthye në qendër të vëmendjes kur ai u gjet dhe u arrestua në Kanada. Megjithatë, avokatët e tij arritën të bindin gjykatën se procesi gjyqësor i zhvilluar në Shqipëri nuk ishte i besueshëm.
“Provat janë kaq të mangëta dhe të paqëndrueshme, sa që ekstradimi do të përbënte një gabim gjyqësor”, kishte deklaruar gjykatësi Alexandre Boucher në vendimin e vitit 2023. Ai vuri në dukje faktin se gruaja e viktimës kishte zgjedhur gabimisht fotografinë e personit të dyshuar.
Prokurori i përgjithshëm i Kanadasë, në emër të Republikës së Shqipërisë, e çoi çështjen në apel, duke pretenduar se gjykatësi kishte gabuar në vlerësim. Por Gjykata e Apelit e Kebekut la në fuqi vendimin fillestar.
“Sipas gjykatës, provat e paraqitura kishin mangësi të dukshme dhe ekzistonte rreziku real që ato të ishin thelbësisht të gabuara”, thuhet në vendimin e gjykatës. Edhe fakti që Brahimi ishte arratisur nuk u konsiderua domosdoshmërisht provë faji. Sipas gjykatës, sjellja e tij mund të përputhej edhe me dikë që kërkon të shmangë një akuzë të padrejtë.




