Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me aksionin e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka lëshuar 6 masa sigurie në lidhje me tenderat e dhëna nga AKSHI. Gjatë hetimeve të prokurorisë është zbuluar dhe një rast pengmarrje dhe dhune, me qëllim tërheqjen e kompanive nga tenderave.
Mësohet se Ergys Agasi në bashkëpunim me zyrtarin e policisë Erion Ismaili, kanë rrëmbyer biznesmenin Gerond Meçe, duke e detyruar që të tërhiqet nga tenderat e dhëna nga AKSHI.
Deri tani nuk dihet ende nëse masat e sigurisë janë ekzekutuar apo jo nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ka kryer prej mëngjesit të sotëm kontrolle në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.
Masat e sigurisë të vendosura:
Ergys Agasi – arrest me burg
Ermal Beqiri – arrest me burg
Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI-t – arrest në shtëpi (masa është ekzekutuar)
Erion Ismaili, zv.drejtor i Policisë së Tiranës – pezullim nga detyra
Andi Papa, arrest me burg
Gëzim Hoxha- bllokim pasaporte
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme.
Sipas burimeve hetimore, përveç shkeljes së barazisë në tendera, autoritetet po hetojnë edhe qarkullimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata, për të verifikuar elementë të mundshëm të pastrimit të parave.
Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh.
Marrë nga Zëri.al




