Në tjetër profil suksesi në Itali. Bëhet fjalë për Bernard Dika, i cili së fundmi është ngjitur në majat e politikës lokale, me mbi 14 mijë vota në Toskanë.
Në fakt, në politikën italiane, e cila rrallë njeh histori integrimi të shpejtë e të fuqishme, rasti i Bernard Dikës është ndër më të veçantët.
Kjo sepse, Dika është vetëm 27 vjeç, me origjinë nga Elbasani, ku së fundmi është bërë një nga figurat më të votuara në zgjedhjet rajonale të Toskanës, duke marrë 14,282 vota dhe u rendit i dyti më i votuar për Partinë Demokratike italiane (PD).
Rruga e tij drejt suksesit ka qenë e mbushur me përkushtim, sfida dhe vendosmëri të admirueshme. Ai kujton me emocione vitet e para të emigracionit, kur në moshën 17-vjeçare priste në radhë për të rinovuar lejen e qëndrimit dhe shkonte në shkollë me gishtat ende të njollosur nga boja e policisë. “Këto ishin ditët që më mësuan çfarë do të thotë dinjitet, përulësi dhe besim në vlera”, shprehet ai me tonin e një politikani që nuk ka harruar rrënjët e veta.
Historia e familjes Dika është një tregim për sakrificën e brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Itali. Babai i tij, Ibrahimi, kishte mbërritur në vitin 1994 me një gomone nga Vlora, në një nga periudhat më të vështira të migrimit shqiptar.
Fillimisht ai zbriti pranë portit të Leçes dhe më vonë arriti të vendosej në Pistoia, qytetin ku Bernard u rrit, u arsimua dhe nisi të ndërtojë rrugën e tij politike.
Vlen të theksohet se që në moshën 14-vjeçare, Bernard u përfshi në jetën politike lokale, duke u bërë koordinatori më i ri i fushatës për Pier Luigi Bersani në përballjen me Matteo Renzin.
Pasioni për politikën, aftësia për të komunikuar dhe energjia e tij e pashtershme e bënë shpejt të spikasë mes bashkëmoshatarëve.




