Dinamo e drejtuar nga Ilir Daja ka konfirmuar forcën ndaj Partizanit. Blutë triumfuan me rezultatin 1-3 në derbin e vlefshëm për javën e 18-të të Superiores, të zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”.
Dinamo e fitoi ndeshjen me përmbysje, në një sfidë të shoqëruar me gola, emocione dhe tensione. Pjesa e parë foli më tepër për Partizanin, i cili arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 44-t me Rrok Tomën, duke shkuar në avantazh në dhomat e zhveshjes.
Reagim i fortë në pjesën e dytë, Dinamo përmbys rezultatin dhe fundos Partizanin
Megjithatë, reagimi i Dinamos në pjesën e dytë ishte i menjëhershëm dhe vendimtar, pas instruksioneve të trajnerit Daja. Fillimisht, baraspeshën e vendosi Bregu me një supergol nga goditja e dënimit, pasi faulli ishte shkaktuar nga Sembene.
Më pas, goli i përmbysjes erdhi nga Guindo. Ky i fundit përfitoi nga një pasim i saktë i Berishës, duke nxjerrë në pah problemet në repartin mbrojtës të Partizanit të Kërnaja. “Demat e Kuq” patën mundësinë e artë për të rikthyer baraspeshën me Skukën. Por lojtari nuk u pozicionua si duhet, duke shpërdoruar asistin e Kazim Ogunleje që kishte bërë gjithçka mirë në aksion.
Në minutat e fundit, një tjetër gabim i prapavijës së Partizanit rezultoi fatal. Janjeva shërbeu për Nezirin, me këtë të fundit që detyroi Bytyçin të devijonte topin në portën e tij për autogol. Në minutën e 84-t, goli i shënuar nga Skuka u anulua për pozicion jashtë loje nga arbitri Florjan Lata. Ky vendim shkaktoi tensione dhe protesta, pasi mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit.
Me këtë fitore, Dinamo ngjitet në kuotën e 32 pikëve, pesë më pak se kryesuesja Egnatia. Ndërsa Partizani pëson humbjen e dytë radhazi dhe mbetet në vendin e gjashtë me 23 pikë.




