Sports
Shqipëria në histori! Nga fitorja në Serbi te shanset me Poloninë për Botërorin, 2025 në shifra e fakte
Shqipëria po lë pas një vit shumë të suksesshëm, ku natyrisht kualifikimi për herë të parë në “Play Off” të Kupës së Botës”, është një nga sukseset më të mëdha që Shqipëria ka arritur ndonjëherë.
Viti 2025 nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme duke qenë se Shqipëria vinte nga një dështim në Ligën e Kombeve dhe në fakt, duke parë paraqitjet që janë bërë asokohe dhe duke e lidhur me shortin që kishte Shqipëria, nuk pritej me shumë optimizëm një sukses i tillë. Por, kuqezinjtë ia dolën që të realizojnë gjysmën e ëndrrës së madhe që kemi të gjithë, pasi në muajin mars do të tentojmë për herë të parë të luajmë në Kupën e Botës, por për të bërë këtë duhet të fitojmë 2 ndeshje që janë sigurisht 2 ndeshjet më të rëndësishme në histori.
NGA ANGLIA TE ANGLIA Shqipëria e nisi rrugëtimin e saj me një transfertë shumë të vështirë në Angli, aty ku në Uembli i duhej mrekullia për të synuar kualifikimin. Por, duke qenë të qartë se kë kishim përballë, nuk mund të pritej shumë e në fakt Anglia e fitoi ndeshjen megjithëse jo pa vuajte. Kuqezinjtë bënë një ndeshje shumë të mirë në Angli pavarësisht se u mundën. Në ndeshjen e dytë, kuqezinjtë bënë atë që duhej të bënin duke fituar me Andorrën në shtëpi me rezultatin 3-0. E në fakt, Anglia ishte skuadra e vetme që na mundi në këto kualifikuese dhe diçka të tillë e bëri edhe pak muaj më parë, në ndeshjen e fundit kualifikuese por që për asnjërën nga skuadrat nuk pati shumë vlerë sepse objektivat ishin arritur dhe ajo sfidë, u kthye në miqësore luksi. Kështu, Anglia na dha fat në ndeshjen e parë për të siguruar vendin e dytë në grup dhe për të na ndihmuar edhe më shumë, “3 luanët” fituan ndeshjen në Londër kundër Serbisë, e cila me kombinimin e fitores së Shqipërisë në Andorra, na solli matematikisht kualifikimin si vendi i dytë në grup, arritje kjo të cilën Shqipëria gjithmonë e ka pasur ëndërr dhe vetëm i është afruar pa e arritur kurrë më parë. Natyrisht kuqezinjtë kishin një rrugëtim të vështirë, me histori e dështime por në fund, ndeshja në Tiranë ishte festë.
FITORJA NË SERBI Shqipëria luajti në qershor kundër Serbisë në Tiranë dhe një penallti e humbur nga Rei Manaj, u komentua gjatë dhe u mendua për shumë muaj se do të ishte momenti që do të mbetej peng në kujtimet e të gjithëve. Por, Rei Manaj diti të bënte mirë, diti të ndryshonte historinë dhe në tetor e bëri diçka të tillë pikërisht në Leskovcin shqiptar, tokën që ndër shekuj ka frymuar kuqezi. Në sekondat e fundit të pjesës së parë, Manaj bën një goditje të bukur nga jashtë zone, për ta çuar topin në rrjetë e duke i dhënë Shqipërisë një fitore historike, të madhe dhe natyrisht me shumë vlera për vetë objektivin që kuqezinjtë kishin. Ai 3 pikësh, e shkëputi skuadrën tonë në vendin e parë dhë nëse deri atë ditë, kualifikimi nuk varej nga ne, goli i Manajt e ndryshoi historinë e kualifikueseve dhe bëri që Shqipëria të vendoste vetë për fatin e saj. Minutat në vazhdim, po flisnin vetëm për Shqipërinë dhe çdo minutë që kalonte, e afronte skuadrën tonë me historinë dhe kështu, më 11 tetor, Shqipëria mori fitoren e parë në histori kundër Serbisë në fushën e blertë, duke qenë se një fitore më parë e pat arritur në vitin 2014, kur Ballist Morina arriti të ngrinte dronin mbi stadium.
KUALIFIKIMI PËR HERË TË PARË Fitorja në Serbi, i hapi rrugë Shqipërisë për të synuar seriozisht vendin e dytë dhe kuqezinjtë e dinin mirë se për ta bërë, duhej patjetër fitore në Andorra. Dhe në fakt, kështu ndodhi. Goli i shënuar nga Kristjan Asllani në atë sfidë, e kualifikoi Shqipërinë, ndërkohë që Serbia nga ana tjetër po mundej në Londër nga Anglia, duke e bërë më të lehtë për skuadrën tonë sepse një rezultat tjetër në Londër, do të linte gjithçka të hapur për ndeshjen e fundit, aty ku Serbia do të priste Letoninë e ne do të përballeshim me Anglinë. Fitorja jonë në Andorra, na çoi në kuotën e 14 pikëve dhe për herë të parë në histori, arritëm që të kualifikohemi në “Play Off” të Kupës së Botës”. Pak javë më parë, u hodh edhe shorti për këtë fazë, ku goglat vendosën Shqipërinë përballë Polonisë dhe fakti që ne jemi në vazon e tretë, e lejon Poloninë që të jetë pritëse teksa për finalen ishte me short. Shqipëria përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi dhe sërish, kuqezinjtë do të përballen në transfertë. Kështu, nëse Suedia arrin të fitojë, finalja do të luhet në Suedi, ndërsa Ukraina ka zgjedhur t’i luajnë në Spanjë ndeshjet e saj.
REKORDET Shqipëria pati një vit fantastik dhe pësoi vetëm 2 humbje, aty ku kuqezinjtë u mundën vetëm nga Anglia në ndeshjen e parë në mars dhe në ndeshjen e fundit në nëntor. Në këtë periudhë mes marsit dhe dhjetorit, kuqezinjtë ishin thuajse perfektë dhe nuk humbën asnjë ndeshje tjetër. Rezultati më zhgënjyes, natyrisht ishte barazimi 1-1 që Shqipëria mori në Letoni, aty ku duke parë nivelin e kundërshtarit, pritej një fitore nga skuadra jonë Kombëtare. Por, pas asaj ndeshjeje Shqipëria nuk po pësonte më gola dhe arriti të merrte edhe barazim me Serbinë. Kjo sfidë me serbët, u pasua më vonë nga 5 fitore radhazi nga skuadra jonë kuqezi. Fitorja e parë në këtë ecuri rekord për Shqipërinë, erdhi në datën 4 shtator në një miqësore me Gjibraltarin, ku skuadra jonë vuajti, nuk bindi por fitoi me rezultatin e ngushtë 0-1. Pak ditë më parë, kuqezinjtë luajtën në Tiranë me Letoninë dhe sërish fituan me rezultatin 1-0, në një ndeshje pa shkëlqim dhe ku në fakt, vendosi një penallti pasi loja nuk ishte shumë bindëse. Te Kombëtarja dukeshin të kënaqur dhe pas ndeshjeve, shpreheshin se në këtë moment, rëndësi kishin pikët dhe loja e bukur e në fakt, diçka e tillë rezultoi të ishte e rëndësishme. Fitorja me Letoninë u pasua një muaj më vonë nga fitorja në Serbi me rezultatin 0-1, ku për skuadrën tonë ishte ndoshta ndeshja më e mirë që kishte bërë në kualifikuese. Fitoren e katërt radhazi, Shqipëria e mori në miqësore ndaj Jordanisë, aty ku shënoi 4 herë por pësoi 2 gola, ndërkohë që fitorja e pestë radhazi dhe natyrisht shumë e rëndësishme erdhi në nëntor, ku Shqipëria fitoi ndaj Andorrës me rezultatin 0-1. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte arritur që të fitonte 5 ndeshje radhazi dhe natyrisht kjo ishte një tjetër arritje në vitin 2025 për kuqezinjtë.
HYSAJ KALON CANËN Elseid Hysaj e kishte vitin 2025 një ndër vitet më të veçanta në aspektin personal për sa i përket Kombëtares. Mbrojtësi shkodran u bë këtë vit futbollisti me më shumë ndeshje për Shqipërinë, duke thyer rekordin absolut që Lorik Cana mbante prej vitesh. Në ndeshjen me Serbinë, ku Shqipëria fitoi 0-1, Hysaj luajti ndeshjet e tij numër 93, duke arritur kështu rekordin e ishkapitenit kuqezi, ndërkohë që vetëm pak ditë më vonë e theu këtë rekord. Në ndeshjen me Jordaninë në Tiranë, Hysaj luajti ndeshjen e 94-ët, e cila ishte edhe zyrtarisht ndeshja që vuri rekordin e ri ndërkohë që vetëm pak javë më vonë, e thelloi këtë rekord pasi luajti edhe me Andorrën në transfertë dhe pak minuta me Anglinë në shtëpi para se të dëmtohej. Kështu, Hysaj e mbylli vitin 2025 në kuotën e 96 ndeshjeve, duke qenë absolutisht futbollisti me numrin më të lartë të ndeshjeve që ka zhvilluar me fanellën kuqezi. Ndryshe nga Cana që ka luajtur vetëm në një Europian, Hysaj ishte pjesë e Shqipërisë edhe në Europianin e vitit të shkuar, si edhe pjesë e historisë për kualifikimin në “Play Off”. Megjithëse te Lacio nuk po kalon momentin më të mirë, te Kombëtarja ka pasur ecuri fantastike dhe ka ditur të bëjë mirë e të jetë protagonist sa herë që i është kërkuar, duke kontribuuar jo pak.
RENDITJA E FIFA-s Fitoret që Shqipëria arriti të merrte në kualifikueset e Botërorit, u pasqyruan edhe në renditjen e FIFA-s, aty ku kuqezinjtë u ngjitën disa herë në klasifikim. Kështu, Shqipëria në muajin mars humbi një vend në klasifikim dhe e shihte veten në vendin e 66 të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s, teksa kjo zbritje u pasua edhe në muajt në vazhdim, ku ndikuan barazimi me Letoninë dhe ai me Serbinë. Në korrik, Shqipëria humbi 2 pozicione të tjera dhe e shihte veten në vendin e 68- të dhe dukej se makthi nuk po merrte fund. Por, në shtator Shqipëria rikuperoi 2 vende dhe u rikthye sërish në vendin e 66-të të klasifikimit të përgjithshëm. Në muajin tetor, kuqezinjtë ishin për rekord duke rikuperuar plot 5 vende dhe për herë të parë për këtë vit, u rendit në vendin e 61 të klasifikimit të përgjithshëm. Humbja me Anglinë ndikoi për klasifikimin e fundit dhe Shqipëria humbi dy pozicione të tjera dhe e mbylli vitin në vendin e 63-të të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s. Rekordin absolut për klasifikimin në FIFA, Shqipëria e ka në vitin 2015, kur për herë të parë në histori, Shqipëria e shihte veten të renditur në vendin e 36, si kurrë më parë ndonjëherë.
DEBUTIMET Silvinjo e ka treguar shpesh herë që nuk ka shumë besim te të rinjtë dhe i qëndron besnik lojtarëve që kanë kontribuuar më shumë te Shqipëria. Por, përtej kësaj, Shqipëria kishte edhe debutime në vitin 2025 megjithëse nuk ishin të shumta. Simon Simoni ishte portieri që debutoi këtë vit me Shqipërinë, ndërkohë që të njëjtin fat kishin edhe Pajaziti, Cake e Gripshi me këta dy të fundit që iu desh të prisnin vetëm fundin e vitit për të marrë minutat e para. Në mars debutoi Shehu që ishte edhe një nga lojtarët me më shumë paraqitje që nga debutimi i tij dhe luajti titullar thuajse në të gjitha ndeshjet e kuqezinjve, si në zyrtare, ashtu edhe në ato miqësore. Të tjerë debutues në vitin 2025 me fanellën e Shqipërisë, ishin edhe Maldini Kacurri dhe Kristian Shpendi, të cilët luajtën së bashku në një ndeshje miqësore me Gjibraltarin në muajin shtator.
RINOVIMI I SILVINJOS Kontrata e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo përfundonte në muajin dhjetor. Por, kualifikimi për në “Play Off” të Kupës së Botës, bëri që kontrata e trajnerit të Kombëtares të shtyhej për më tej. Kështu, palët kanë arritur akord për të rinovuar kontratën duke e bërë të vlefshme deri në fundin e muajit, mars kur edhe do të luhen dy ndeshjet e fundit të këtij rrugëtimi historik. Nëse Shqipëria arrin të kualifikohet, atëherë kontrata e trajnerit brazilian do të rinovohet automatikisht për në vazhdim të Botërorit dhe vetëm pas përfundimit, do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e tij. Nëse rrugëtimi i Shqipërisë përfundon në mars, edhe kontrata e Silvinjos skadon por kjo nuk do të thotë se trajneri do të jetë zyrtarisht i larguar. Me shumë gjasa, palët do të ulen sërish për të diskutuar për të ardhmen dhe dëshira e të dyja palëve, duket se është që të vazhdojë bashkëpunimi edhe për më tej, ku Shqipëria do të ketë provën e madhe për të tentuar sërish Europianin dhe ndoshta edhe për të shkruar histori të reja.
ÇMIMET E BILETAVE Një nga gjërat negative të 2025 për tifozët shqiptarë, natyrisht që kanë qenë çmimet e biletave për kualifikueset e Botërorit. Përveç faktit që ishte shumë e vështirë të gjendeshin bileta dhe se shumica e tyre po shiteshin në treg të zi, një tjetër problem ishin çmimet e shtrenjta nga vetë Federata. Kështu, shumë tifozë mbetën pa biletë jo vetëm për faktin se nuk po i gjenin, por edhe për koston e lartë që kishte për xhepin e tifozëve pasi çmimet ishin relativisht të larta, sidomos për ndeshjet e rëndësishme apo edhe për Anglinë në fund.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL
Sports
Gjashtë ndryshime të Kampionatit Botëror të vitit 2026
1. Tre vende si organizatorë të përbashkët
Zakonisht, Kupa e Botës në futboll është një ngjarje e organizuar nga një komb i vetëm, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kupa e Botës 2002 hapi një rrugë të re kur Japonia dhe Koreja e Jugut, dy kombe që nuk kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të lehtë, u bashkuan për të organizuar turneun. Kupa e Botës 2026 shkon edhe më tej, me tre vende, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Meksikën. Ndërsa këto vende zakonisht kanë gëzuar marrëdhënie të mira, lidhjet e SHBA-së me Kanadanë dhe Meksikën janë tendosur që nga fillimi i mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump.
2. Më shumë ekipe, më shumë ndeshje
E doni apo e urreni, lëvizja për të zgjeruar Kupën e Botës nga 32 ekipe të mëparshme në 48 ishte një veprim i guximshëm nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Më shumë ekipe do të thotë shumë më tepër ndeshje, gjithsej 104 krahasuar me 64 në Kupën e Botës 2022 në Katar. Kjo gjithashtu do të thotë se do të ketë 12 grupe me nga katër ekipe, krahasuar me tetë katër vjet më parë.
Një raund shtesë eliminator – Raundi i 32 ekipeve – është futur gjithashtu për të ndihmuar në uljen e numrit të ekipeve në rrugën drejt finales në New Jersey më 19 korrik. Kjo do të luhet në ditën e 39-të të turneut – 10 më shumë sesa u deshën për të përfunduar Kupën e Botës 2022.
3. Pjesëmarrës të rinj
Ndërsa kritikët do të argumentojnë se rritja e numrit të ekipeve mund të ulë cilësinë e përgjithshme të lojës, kjo i ka ndihmuar disa vende të kualifikohen për një Kupë Bote për herë të parë në histori. Kepi i Gjelbër, Curacao, Jordania dhe Uzbekistani do të debutojnë në skenën më të madhe të futbollit. Nga këto, Curacao janë më të dobëtit, duke ardhur nga një vend me një popullsi nën 160,000 banorë dhe i renditur i 82-ti në botë.
Disa të tjerë që marrin pjesë për herë të parë kanë mundësinë të bashkohen nëpërmjet eliminatoreve kualifikuese në mars – duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën dhe madje edhe Kaledoninë e Re.
4. Më shumë udhëtime
Kjo nuk është hera e parë që një Kupë Bote do të mbahet në një zonë të madhe gjeografike, por distancat që ekipet dhe tifozët duhet të kalojnë në vitin 2026 do të jenë një tronditje për sistemin pas Katarit, i cili është më i vogël se Connecticut – shteti i tretë më i vogël në Shtetet e Bashkuara.
Më larg nga njëri-tjetri midis vendeve janë Vancouver dhe Miami – 4,507 kilometra (2,800 milje). Gjermania pritet të kalojë 2,619 kilometra vetëm për të udhëtuar nga Houston në Toronto e në New Jersey për ndeshjet e tyre të fazës së grupeve – pa llogaritur udhëtimin për dhe nga kampi i tyre bazë, vendndodhja e të cilit ende nuk është njoftuar.
5. Pushimet e detyrueshme
Ndërsa pushimet për marrje të pijeve nuk janë të reja në futboll, FIFA ka njoftuar se të gjitha ndeshjet në Kupën e Botës 2026 do të kenë dy pushime të planifikuara – pavarësisht nga kushtet e motit.
Gjyqtarët do të jenë nën udhëzime për të ndërprerë ndeshjet 22 minuta në secilën pjesë në mënyrë që lojtarët të mund të marrin pije, tha FIFA në një deklaratë. Më parë, gjyqtarët duhej të bënin pushime freskuese 30 minuta pas fillimit të secilës pjesë të ndeshjes, kur temperatura në fillim të ndeshjes tejkalonte 31 gradë Celsius. Ndryshimi vjen mes shqetësimeve për temperaturat e larta që priten në disa nga qytetet pritëse – siç ishte rasti në Kupën e Botës për Klube të verës së kaluar. FIFA ka thënë se e mori këtë parasysh kur përcaktoi kohën e fillimit të ndeshjes.
6. Jo të gjithë tifozët janë të mirëpritur
Dy vende që janë kualifikuar për Kupën e Botës, Irani dhe Haiti, janë nën një ndalim udhëtimi të njoftuar nga Presidenti i SHBA-së Trump qershorin e kaluar. Kjo do të thotë se shikuar nga gjendja e tanishme, tifozët e tyre nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në SHBA për të mbështetur ekipet e tyre. Megjithatë, vetë ekipet nuk duhet të kenë probleme për të hyrë në SHBA, pasi urdhri ekzekutiv i Trump bën përjashtime për “çdo atlet ose anëtar të një ekipi, duke përfshirë trajnerët, personat që kryejnë një rol mbështetës të nevojshëm dhe të afërmit e ngushtë, që udhëtojnë për Kupën e Botës, Lojërat Olimpike ose ndonjë ngjarje tjetër të madhe sportive siç përcaktohet nga sekretari i shtetit”.
Se ku do të luhen ndeshjet në të vërtetë ende nuk dihet, pasi Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do t’i zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës larg qyteteve të drejtuara nga demokratët për arsye “sigurie”. Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, Infantino nuk ofroi asnjë përgjigje. “Siguria dhe mbrojtja janë përparësia numër 1 për një Kupë Bote të suksesshme”, tha ai.
Deutsche Welle
Sports
Kupa e Afrikës/ 16 ekipe kualifikohen në turin e dytë
Faza e grupeve të Kupës së Kombeve të Afrikës ka përfunduar dhe, me 16 ekipe të kualifikuara për raundin e 16-shes, është koha për të bërë një bilanc.
Ekipi më i mirë në fazën e parë ishte Algjeria, e udhëhequr nga trajneri Petkoviç, i cili e përfundoi Grupin E me një rekord të përsosur dhe një diferencë golash prej +6.
Ekipi tjetër me 9 pikë ishte Nigeria (në Grupin C), Bregu i Fildishtë përfundoi përpara Kamerunit, ndërsa Mozambiku dhe Sudani u kualifikuan si ekipet më të mira të vendit të tretë .
Mrekullia e Sudanit – Rasti i “Krokodilëve të Nilit” është më i veçanti, pasi ata u kualifikuan pavarësisht dy humbjeve pa shënuar dhe një diference jo të këndshme golash prej -4.
Fitorja vendimtare ishte, në fakt, një fitore 1-0 kundër Guinesë Ekuatoriale, një ndeshje e vendosur nga një autogol i mbrojtësit të Torinos, Saul Coco. Duke marrë parasysh gjithçka, Sudani është në raundin e 16-tave pa asnjë gol të vetëm.
Ja dhe kalendari i ndeshjeve të raundit të 16-tave:
Mali – Tunizi (e shtunë, 3 janar, ora 20:00)
Senegal – Sudan (e shtunë, 3 janar, ora 17:00)
Egjipt – Benine (e hënë, 5 janar, ora 17:00)
Bregu i Fildishtë – Burkina Fasos (e martë, 6 janar, ora 20:00)
Afrika e Jugut – Kamerun (e diel, 4 janar, ora 20:00)
Marok – Tanzani (e diel, 4 janar, ora 17:00)
Nigeri – Mozambik (e hënë, 5 janar, ora 20:00)
Algjeria – RD Kongo (e martë, 6 janar, ora 17:00).
Sports
Anthony Joshua lirohet nga spitali pas aksidentit me makinë në Nigeri
Boksieri britanik i peshave të rënda Anthony Joshua është liruar nga spitali në Nigeri, disa ditë pas një aksidenti fatal me makinë që vrau dy nga miqtë e tij të ngushtë.
Ish-kampioni i botës u konsiderua i aftë të rikuperohej në shtëpi, thanë shtetet Ogun dhe Lagos në një deklaratë të përbashkët, duke e përshkruar atë si “të pikëlluar” për humbjen e miqve të tij.
36-vjeçari ishte pasagjer në një Lexus SUV që u përplas me një kamion të ndalur në një autostradë kryesore në shtetin Ogun, pranë Lagosit, të hënën.
Dy burrat që vdiqën ishin miqtë e ngushtë të Joshuas dhe anëtarët e ekipit, Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele.
Pasi doli nga spitali të mërkurën, britaniku vizitoi shtëpinë e varrimit ku trupat e miqve të tij “po përgatiteshin për riatdhesim”, shtoi deklarata e përbashkët.
Më parë, Eddie Hearn, i cili e ka promovuar Joshuan që kur ai u bë profesionist pasi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 2012, i bëri homazh miqve të ngushtë të Joshuas dhe anëtarëve të ekipit.
“U prehni në paqe Latz dhe Sina”, shkroi Hearn në Instagram.
“Energjia dhe besnikëria juaj, ndër shumë cilësi të tjera të shkëlqyera, do të na mungojnë shumë. Lutem për forcë dhe udhëzim për të gjithë familjen, miqtë dhe sigurisht AJ-në e tyre gjatë kësaj kohe shumë të vështirë.”
Ghami ishte trajneri me kohë të plotë i Joshuas për rehabilitimin sportiv dhe ushtrimet dhe punoi me të për më shumë se 10 vjet.

Duke folur për BBC të mërkurën, zëdhënësi i policisë së shtetit Ogun, Oluseyi Babaseyi, tha se “hetimet janë ende duke vazhduar” dhe e përshkroi procesin si “ende diskret”.
Agjencia e Pajtueshmërisë dhe Zbatimit të Rregullave të Trafikut (TRACE) në shtetin Ogun, ku ndodhi aksidenti, ka thënë se hetimet paraprake treguan se automjetit i ishte shpërthyer një gomë përpara se të përplasej me kamionin .
Joshua, i cili ka lindur në Watford nga prindër nigerianë, ishte me pushime në Nigeri pas fitores së tij ndaj Jake Paul në Miami më 19 dhjetor.
Më parë, Tony Bellew, kampioni i pensionuar i botës në peshat kruizer, postoi në X: “Mendime dhe lutje për familjet e këtyre burrave. Humbje tragjike në rrethana të tmerrshme!
“Shpresoj që ai (Joshua) të jetë në gjendje ta përpunojë këtë me kalimin e kohës, sepse nuk ka dhimbje në jetë më të keqe se pikëllimi.”
Dy herë kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, dhe ish-kampioni britanik i peshave të rënda, Tyson Fury, gjithashtu postuan në Instagram për të shprehur ngushëllime.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
