“Ndihma po vjen!”. Ky është mesazhi më i fundit që Donald Trump i ka dërguar popullit të Iranit dhe tepër domethënës për qasjen që Uashingtoni do të ndjekë në vijim përkundrejt protestave që vijojnë prej dy javësh kundër regjimit të Ajatollahut.
Postimi i Presidentit amerikan në Truth Social është një mesazh shumëdimensional dhe hap rrugën për zhvillime të reja në vend, pasi ai u kërkoi iranianëve që të vazhdojnë protestat dhe premtoi se “vrasësit do të paguajnë shtrenjtë”.
Në të njëjtën kohë, ai parafrazoi frazën e njohur “Make America Great Again – MAGA” , duke shkruar “Make Iran Great Again – MIGA”.
“Patriotë iranianë, VAZHDONI DEMONSTRATAT – PUSHONI INSTITUCIONET TUAJA!!! Shkruani emrat e vrasësve dhe torturuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa vrasjet e pakuptimta të protestuesve TË NDALOJNË. NDIHMA PO VJEN. MIGA (Make Iran Great Again)!!!”, shkroi Trump.
Ky reagim i Presidentit amerikan erdhi vetëm pak orë pasi ai njoftoi tarifa prej 25% për çdo vend që bën tregti me Teheranin. Trump sakaq, është informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake kundër Iranit, ndërsa po shqyrton zbatimin e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shkak të shtypjes së protestave nga regjimi atje.

