Nga 1 janari 2026 kanë hyrë zyrtarisht në fuqi kufijtë e rinj të pagës minimale dhe maksimale në Shqipëri, duke reflektuar ndryshimet e miratuara nga qeveria dhe të rikujtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas njoftimit, paga minimale mujore rritet në 50 mijë lekë, nga 40 mijë lekë që ishte më parë, një rritje prej 10 mijë lekësh në vlerë absolute.
Paralelisht, paga maksimale mbi të cilën llogariten kontributet shoqërore vendoset në 186,416 lekë.
Këto ndryshime vlejnë për të gjithë kategoritë, përfshirë të punësuarit, vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, duke unifikuar bazën e përllogaritjes së kontributeve shoqërore në nivel kombëtar.
Rritja e pagës minimale sjell automatikisht edhe rritjen e pagës maksimale, por këtë herë sipas një formule të re, e cila aplikohet që prej mesit të vitit 2023.
Sipas kësaj formule, paga maksimale rritet me të njëjtën vlerë monetare që rritet paga minimale dhe jo më me të njëjtën përqindje.
Ky ndryshim konsiderohet një lehtësim i drejtpërdrejtë për punëdhënësit dhe punëmarrësit me paga të larta.
Deri në vitin 2023, paga maksimale rritej me të njëjtën përqindje sa paga minimale, çka sillte rritje disproporcionale të barrës së kontributeve.
Shembulli më i qartë ishte në prill 2023, kur paga minimale u rrit nga 34 mijë në 40 mijë lekë, ose me 17.6 për qind.
Si pasojë, paga maksimale u rrit po me 17.6 për qind, duke kaluar nga 149,954 lekë në 176,416 lekë.
Ndërsa paga minimale u rrit me 6 mijë lekë në vlerë, paga maksimale u rrit me rreth 26.5 mijë lekë, duke rënduar ndjeshëm kostot për bizneset dhe punonjësit me paga të larta.
Ndryshimi që hyn në fuqi nga janari 2026 shënon herën e parë që paga maksimale rritet me të njëjtën vlerë absolute sa paga minimale dhe jo në përqindje, duke zbatuar plotësisht formulën e re dhe duke shmangur efektet disproporcionale të së kaluarës.

