Një iniciativë e pazakontë në SHBA po quhet “puna e ëndrrave” për futbolldashësit: dy tifozë janë përzgjedhur për të ndjekur çdo ndeshje të FIFA World Cup 2026 dhe do të paguhen nga 50 mijë dollarë secili për këtë eksperiencë.
Sipas organizatorëve, projekti është krijuar për të promovuar turneun dhe për të sjellë një mënyrë më interaktive të ndjekjes së futbollit. Tifozët e përzgjedhur nuk do të shikojnë ndeshjet nga stadiumet, por nga një hapësirë speciale në Times Square në Nju Jork, e konceptuar si një studio e hapur për publikun.
Detyrat e tyre përfshijnë ndjekjen e të gjitha ndeshjeve të turneut, regjistrimin e reagimeve gjatë lojërave dhe krijimin e përmbajtjes për rrjetet sociale. Në total, Botërori pritet të ketë mbi 100 ndeshje, duke e bërë këtë “punë” një maratonë të vërtetë futbolli.
Projekti po shihet si një kombinim mes marketingut, reality show dhe përvojës së tifozëve, duke tërhequr vëmendje të madhe në rrjet.


