Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po punojnë për një marrëveshje që do të mundësonte rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e rrjedhës normale të naftës nga Lindja e Mesme, ekspertët paralajmërojnë se lëvizja e ardhshme e tregut global të energjisë mund të varet nga një aktor që nuk është pjesë e drejtpërdrejtë e negociatave, bëhet fjalë për Kinën.
Si konsumatori i dytë më i madh i naftës bruto në botë, Kina ka ndërmarrë masa të shumta për të ruajtur furnizimin e saj energjetik pas ndërprerjeve të shkaktuara nga lufta në Iran, e cila ka ndikuar në qasjen në më shumë se 11 milionë fuçi naftë në ditë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Duke reduktuar importet, duke shfrytëzuar rezervat strategjike dhe duke zgjeruar përdorimin e energjisë së pastër, Pekini ka arritur të zbusë ndikimin e çmimeve të larta në ekonominë e tij.
Sipas analistëve, këto veprime kanë ndikuar ndjeshëm edhe në stabilizimin e tregut global të naftës.
Megjithëse gjatë muajve të fundit shumë ekspertë kishin paralajmëruar se çmimi i naftës mund të arrinte deri në 200 dollarë për fuçi, tregu nuk ka përjetuar një shpërthim të tillë.
Pavarësisht se humbjet e vlerësuara të furnizimit kanë kaluar shifrën e një miliard fuçive, çmimet kanë mbetur relativisht të përmbajtura.
Daan Walter, drejtor në organizatën kërkimore për energjinë Ember, tha se Kina ka luajtur një rol kyç në zbutjen e pasojave ekonomike për Azinë dhe ekonominë globale.
Të hënën, çmimi i naftës ra nën 78 dollarë për fuçi, i nxitur nga pritjet se trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit do t’i rikthehet normalitetit.
Para përshkallëzimit të konfliktit ShBA-Iran, nafta Brent tregtohej nën 70 dollarë për fuçi, ndërsa në fillim të majit kishte arritur nivelin më të lartë të katër viteve, 114 dollarë për fuçi.
Analistët besojnë se, pavarësisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme, politikat energjetike të Kinës do të vazhdojnë të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e drejtimit të tregut.


