Dënohet me burg të përjetshëm 59-vjeçari që tentoi të vriste Donald Trump

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ryan Routh është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativën për të vrarë presidentin Donald Trump në një fushë golfi në Florida, në shtator të vitit 2024.

BBC shkruan se 59 vjeçari u shpall fajtor vitin e kaluar për përpjekjen për të vrarë Trump-in, atëherë ende kandidat presidencial, në Trump International Golf Club në West Palm Beach.

Një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-ve në zonë pa grykën e një pushke që dilte nga shkurret dhe qëlloi ndaj Routh-it, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua aty pranë.

Në një memorandum për dënimin, gjykatësja Aileen Cannon tha se krimet e Routh-it “pa dyshim meritojnë një dënim me burgim të përjetshëm”.

“Ai ndërmori hapa për muaj të tërë për të vrarë një kandidat të madh presidencial, tregoi vullnetin për të vrarë këdo që i dilte përpara, dhe që atëherë nuk ka shprehur as pendesë e as keqardhje ndaj viktimave të tij,” shkroi ajo, citon BBC.

Avokati i Routh-it, Martin Ross, tha se ata do ta apelojnë çështjen.

Routh u vetëdeklarua i pafajshëm dhe vendosi të përfaqësonte vetveten gjatë gjyqit, i cili filloi më 8 shtator.

Me origjinë nga Karolina e Veriut dhe banues në Hawaii para arrestimit, Routh u soll shpesh në mënyrë të çrregullt gjatë seancave gjyqësore, duke sfiduar Trump-in në një lojë golfi dhe duke bërë referenca për Adolf Hitlerin dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Pas shpalljes fajtor nga juria, Routh tentoi të godiste veten në qafë me një stilolaps, por marshallët amerikanë e nxorën me shpejtësi nga salla e gjyqit.

Edhe pse nuk besohet se Routh ka pasur ndonjë pamje të qartë ndaj Trump-it gjatë incidentit, agjentët federalë i thanë jurisë se më vonë gjetën një pushkë gjysmë-automatike me dylbi dhe karikator në vendin ku ai ishte fshehur.

Gjithashtu, jurisë iu tha se Routh kishte lënë një listë me vendet ku Trump kishte gjasa të shfaqej, si dhe një shënim për një mik ku e përshkruante incidentin si “një tentativë vrasjeje”.

Në deklaratën përmbyllëse gjatë gjyqit, Routh foli në vetën e tretë dhe preku një sërë temash të palidhura, përfshirë historinë e SHBA-ve, luftën Rusi-Ukrainë dhe synimin e tij për të blerë një varkë, gjë që e detyroi gjykatësen ta ndërpriste shpesh dhe ta largonte jurinë.

Prokurori kryesor i çështjes, John Shipley, tha se u paraqit një “mal provash” që tregonte “sa afër ishte ai për ta realizuar këtë”.

Incidenti në Florida ishte tentativa e dytë ndaj jetës së Trump-it në vitin 2024, pas një sulmi me armë në një tubim elektoral në Butler, Pensilvani, në korrik.

Ky sulm la një person të vdekur dhe disa të plagosur, përfshirë Trump-in. Sulmuesi, i identifikuar më vonë si 20-vjeçari Thomas Crooks, u vra nga oficerët në vendngjarje.

Share This Article