ETLEVA SKONJA
Rritja e përpjekjeve të Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, nën drejtimin e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, ka ngjallur kritika të forta politike dhe shqetësime për një përpjekje të mundshme për vendosje nën kontroll politik të institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Pak ditë më parë, në mjediset e një gjykate u shfaq deputeti Bledi Çomo, i cili ka punuar më parë me Xhafajn.
E Vërteta.al i ka kërkuar sqarime Fatmir Xhafajt dhe Çomos, duke pyetur mbi bazën ligjore që justifikon këto inspektime dhe takime me institucionet e pavarura të drejtësisë. Asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje deri më tani.
Veprimet e komisionit, të cilat përfshijnë vizita monitoruese dhe kërkesa për raporte nga institucionet e pavarura janë të tejskajshme dhe pa precedent, duke tejkaluar rolin e mbikëqyrjes parlamentare dhe duke u afruar tek presioni politik mbi gjyqësorin dhe SPAK-un.

Ndërkohë që Fatmir Xhafaj ka promovuar vazhdimisht reformën në drejtësi si “nismë madhore” për shtetin ligjor dhe si argument thelbësor për funksionimin e sistemit të drejtësisë, kjo qasje ka përplasur jo vetëm SPAK-un i cili ka refuzuar disa herë të pranojë takime mbi çështje hetimore, por edhe përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të pavarur të reformës, të cilët e shohin atë si tentativë për kontroll politik mbi drejtësinë.
Reagimi i Opozitës
Kritikat ndaj Xhafajt nuk janë të reja. Sipas partisve opozitare, ai ka qenë objekt i pretendimeve dhe akuzave për skandale korrupsioni dhe përfitim nga lejet e ndërtimit në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të PS-së, përmes biznesmenëve të afërt ose të lidhur me të. Opozita e ka cilësuar këtë si një shembull të përdorimit të pushtetit politik për favore ndërsa akuzon Xhafajn së bashku me figura të tjera për fitime të dyshimta financiare dhe ndërtimore.
Oerd Bylykbashi, nga PD, jurist ka deklaruar publikisht se komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj është një strukturë artificiale, e ngritur për të dubluar dhe tejkaluar kompetencat kushtetuese të Kuvendit.
Sipas tij, “vizitat monitoruese” ndaj institucioneve të drejtësisë nuk janë parashikuar nga Kushtetuta dhe përbëjnë presion politik të drejtpërdrejtë.
Ai e ka cilësuar përpjekjen për të futur SPAK-un dhe gjykatat në një regjim “raportimi politik” si rikthim të kontrollit të drejtësisë nga mazhoranca.
“Parlamenti nuk ka të drejtë të inspektojë prokurorë dhe gjyqtarë, por vetëm të marrë raporte vjetore sipas ligjit”, ka thënë ai.
Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë ka deklaruar se komisioni i Nismave Qytetare është një formë e re e ndërhyrjes politike, e maskuar si transparencë.
Ai ka paralajmëruar se kjo nismë krijon një precedent të rrezikshëm, ku politika tenton të hyjë në territorin e drejtësisë.
Sipas Alibeajt, Fatmir Xhafaj, si ish-ministër i Drejtësisë, e njeh shumë mirë kufirin ligjor, por po e shkel atë qëllimisht.
Edhe Agron Shehaj ka deklaruar se Parlamenti nuk ka asnjë bazë ligjore për të “inspektuar” institucionet e drejtësisë.
Çdo përpjekje e tillë, sipas tij është ndërhyrje politike, pavarësisht emrit që i vihet.
Ai ka theksuar se transparenca nuk arrihet me vizita politike, por me llogaridhënie ligjore të përcaktuar qartë.
Përplasja me SPAK-un
Përplasja e fundit, ku SPAK-u refuzoi të takohet me Xhafajn mbi çështje hetimore, ngre pyetjen se pse një deputet i ligjshëm kërkon të zotërojë drejtësinë nën një petk “mbikëqyrjeje parlamentare”, në vend që të respektojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe kompetencat e tyre ligjore.
Derisa Xhafaj hesht ndaj kërkesave për sqarim ligjor, pyetja që shtrohet gjerësisht në opinion është e thjeshtë: A po përdor “nisma qytetare” si një fasadë për të ushtruar kontroll politik mbi drejtësinë, apo është një mjet real për transparencë dhe bashkëpunim institucional.

