Berisha: Nuk ndalemi, së shpejti tjetër protestë kombëtare, më e fuqishmja që ka parë Shqipëria

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas mbylljes së protestës, duke e cilësuar tubimin si një përsëritje të 20 shkurtit 1991. Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që morën pjesë dhe akuzoi qeverinë për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.

“Beteja e vërtetë është qëndresa. Ju u përballët dhëmb për dhëmb me falangat e krimit që përdorën mjete të paligjshme kundër kryengritësve paqësorë. Sot përshkallëzimi i Edi Ramës kundër opozitës ka qenë i paprecedent,” tha Berisha.

Ai akuzoi forcat e rendit se kanë hedhur gaz lotsjellës dhe bomba tymuese në territorin e Partisë Demokratike, madje edhe pranë xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarët po kryenin faljet e tyre.

“Sot besimtarët myslimanë, pas iftarit, agjërimit dhe iftarit, Zoti jua pranoftë, janë kthyer në xhami, janë kthyer në xhami për të falur namazin, për të vazhduar lutjen ndaj të gjithëfuqishmit, ndaj Allahut të madh. Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga asnjë lloj përballje, forcat e kryengritësve të armatosur devijuan në rrugën tjetër, në krah të kundërt. Por kjo nuk mjaftoi. Banditë me uniformë, që i kemi filmuar dhe do t’jua çojmë dhe ju të gjitha videot, kanë hedhur bomba tymuese dhe bombola gazi në katër të ndryshme të xhamisë në një kohë kur besimtarët po faleshin. E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës”, tha Berisha.

Ai paralajmëroi se së shpejti do të organizohet një tjetër protestë kombëtare, të cilën e cilësoi si “më të fuqishmen që ka njohur Shqipëria”.

“Do t’jua njoftojmë shumë shpejt. Do të jetë kombëtar. Do të jetë më i fuqishmi që ka njohur Shqipëria. Edhe një herë, mirënjohje të pakufijshme, përgëzime, guximtarë, që mposhtet në sheshet dhe rrugët e Tiranës të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës”, theksoi ai.

Partia Demokratike protestoi për rreth tre orë, ndërsa nuk u kursyen molotovët dhe fishekzjarrët në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe Parlamentit. Protestuesit u zhvendosën edhe në Rrugën e Elbasanit, ku po ashtu vijuan me hedhjen e molotovëve, ndërsa policia u përgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Share This Article