E thotë studimi: Macet nuk interesohen fare për pronarin, ndryshe nga qentë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një stereotip i vjetër që i përshkruan qentë si miqësorë dhe macet si të ftohta duket se ka bazë shkencore. Një studim i ri ka zbuluar se macet janë shumë më të pavarura se qentë dhe nuk kanë nevojë emocionale për pronarët e tyre, ndryshe nga kafshët e tjera shtëpiake që kërkojnë siguri dhe mbështetje te njerëzit.

Kërkimi u drejtua nga studiuesi Péter Pongrácz nga Eötvös Loránd University në Hungari, i cili shpjegoi se macet mund të bashkëjetojnë mirë me njerëzit, por nuk varen prej tyre për ndihmë apo mbrojtje. Sipas tij, qentë janë më të ngjashëm me “fëmijët” në raportin me pronarët, ndërsa macet mbeten kryesisht të vetë-mjaftueshme, pjesërisht sepse janë ende grabitqarë të aftë për të siguruar ushqimin e tyre.

Studimi u bazua në një eksperiment me 15 mace, të vendosura në gjashtë situata të ndryshme: vetëm me pronarin, me një të panjohur, me të dy bashkë ose krejtësisht vetëm. Rezultatet treguan se macet nuk kërkonin më shumë kontakt me pronarin sesa me një person të panjohur dhe nuk shfaqnin më shumë ankth kur pronari largohej nga dhoma, shkruan A2 CNN.

Sipas studiuesve, kjo tregon mungesë të një lidhjeje të fortë varësie mes maceve dhe pronarëve. Ndryshe nga qentë, të cilët kërkojnë mbështetje njerëzore kur përballen me situata stresuese, macet nuk e konsiderojnë pronarin si “strehë sigurie”.

Studimi u publikua në revistën shkencore Applied Animal Behaviour Science dhe përdori testin e njohur “Strange Situation Test”, i cili përdoret shpesh për të matur lidhjen emocionale te qentë dhe fëmijët.

Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se macet nuk mund të kenë marrëdhënie të mira me njerëzit. Ato mund të jenë miqësore dhe sociale, por motivimi kryesor historik i bashkëjetesës me njerëzit lidhet me praninë e brejtësve në shtëpi dhe ferma, jo me nevojën për mbështetje emocionale. 

Share This Article