Forcat iraniane thonë se kanë goditur një bazë detare amerikane në Bahrein, ndërsa Irani nisi sulme në të gjithë rajonin në shenjë hakmarrjeje për një sulm “masiv” dhe të vazhdueshëm kundër tij nga SHBA-të dhe Izraeli.
Re të mëdha tymi të zi u panë duke u ngritur nga një zonë pranë selisë së Flotës së Pestë të Marinës Amerikane në Manama të Bahreinit. Shkalla e dëmeve është e paqartë dhe SHBA-të nuk kanë komentuar.
Diku tjetër në rajon, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvajti – të gjitha ku ndodhen baza ushtarake amerikane – thanë se kanë kapur raketa në hapësirën e tyre ajrore.
Në Doha, ministria e mbrojtjes e Katarit tha se kishte kapur disa raketa që me sa duket kishin në shënjestër bazën ajrore al-Udeid, baza më e madhe amerikane në rajon.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) tha në një deklaratë se po synonte bazat dhe asetet amerikane si pjesë e operacionit “Premtimi i Vërtetë 4”, në hakmarrje për sulmin ndaj Iranit të nisur nga SHBA-të dhe Izraeli të shtunën në mëngjes.
Ky sulm – i nisur afërsisht në orën 09:15 sipas orës së Iranit (06:15 GMT) – deri më tani ka synuar zona të lidhura me udhëheqjen iraniane, me Presidentin e SHBA-së Donald Trump që ka inkurajuar popullin iranian të ngrihet kundër regjimit.
Në Izrael, sirena u dëgjuan në të gjithë vendin pasi ushtria izraelite tha se kishte zbuluar një breshëri raketash iraniane që po vinte.
Ministria e mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha në një deklaratë se vendi i është nënshtruar një “sulmi të hapur që përfshin raketa balistike iraniane”.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe u përballën me raketat me efikasitet të lartë dhe kapën me sukses një numër raketash”, shtoi ajo.
Thuhet se mbeturinat ranë mbi një zonë banimi në Abu Dhabi, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vrarë një civil.
Forcat Ajrore të SHBA-së operojnë nga Baza Ajrore Al Dhafra, në jug të Abu Dhabit, së bashku me Forcat Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.


