Një takim i rastësishëm i vëllait të Adem Zajmit me një përgjegjës të një fabrike në Zvicër, do të ishte kthesa në jetën e tij. Prej vitit 2002, tash 58-vjeçari do të mësonte se si bëhen brushat e rrojës, e për 18 vjet rresht do të merrej me këtë punë.
Në zemër të Çarshisë së Madhe të Gjakovës, në bodrumin e shtëpisë të cilën e ka rindërtuar me punë të brushave, ndodhet punëtoria e vogël e veglave që eksportohen në Zvicër. Zajmi, teksa bëhet gati për rundin e ri të brushave që do të nisen për në shtetin helvetik, ndalet për të rrëfyer gjithë historinë e zanatit të tij.
Beteja me kuantitetin turk e kinez
“Këtë profesion e kam filluar prej vitit 2002. Iniciator i kësaj veprimtarie ishte vëllai që jeton në Zvicër. Ai rastësisht ka kontaktuar me pronarin e fabrikës, që quhet Peka, dhe ka arritur një marrëveshje që unë të punoj për ta prej këtu”, nis rrëfimin e tij Zajmi.
Adem Zajmi thotë se është i vetmi në Ballkan që i është deleguar kjo punëdore nga Zvicra, nga fabrika që tash prodhon më shumë se 1500 lloje të brushave. Zajmi kishte shkuar në Zvicër për ta mësuar zejen. Më shumë se dy muaj kishte qëndruar te Peka për të parë nga afër se si bëhen këto brusha.
Brushat në Gjakovë prodhohen sipas standardit zviceran, ndërsa përpos në këtë shtet, Zajmi është i lirë që të shesë të tilla kudo tjetër në botë.
“Por unë kurrë nuk kam bërë eksport tjetërkah përveç në Zvicër”, thotë ai, teksa tregon se pak të tilla ka shitur edhe në Kosovë.
“Nuk kam mundur ta thyej kuantitetin turk edhe kinez. Këto brusha janë të standardit zviceran, të cilësisë shumë të lartë në krahasim me këto që vijnë nga Turqia apo nga Kina, me fije sintetike. Ato nuk janë për fytyrë”, thotë Zajmi.