Lajmet e përditshmërisë nuk janë zakonisht më e mira shfaqje e Shqipërisë kur raportohet mbi përditshmërinë shpesh zhgënjyese e dekurajuese. Por fotografia e xhirimet nga sipër kanë aftësi për të dhënë një atdhe tjetër. Të tjetërbotshëm gati. Prej vogëlisë mban mend kur ecte në natyrë e zhytej në një botë që hapej pas çdo hapi. Ai që kishte nisur si alpinist do të zbulonte edhe diçka që do t’i ndihmonte për ta fiksuar atë që shihte. Kështu fotografia do të bëhej “hija” që do t’i qepej hap pas hapi Fation Plakut.
Emri i tij tashmë është bërë i dashur për publikun shqiptar. Ai i mbi vihet fotografive më peizazhe ëndërrore që zbulojnë një Shqipëri vezulluese që thuajse nuk njihet nga banorët e vet e akoma më pak nga të huajt.
“Ndiej që ia kam arritur qëllimit”
“Ngjitjet dhe fotografia janë bërë bashkë duke më motivuar edhe më shumë për të zbuluar vende të reja e t’i bëjë publike bukuritë përrallore të vendit tonë”, thotë Plaku, ndërsa shpalos shpirtin e tij kuturisës e guximtar. Teksa rrëfimi i tij merr shtjellën e vet, jo lehtë të shmangshme janë ndjesitë e përziera që i provon në filmin e regjisorit francez Jean-Jacques Annaud “Seven Years in Tibet”.
Kur pyetet nga Dalai Lama 14-vjeç se çfarë e tërheq në male, alpinisti Heinrich Harrer (Brad Pitt) ka në majë të gjuhës një përgjigje të çlirët. “Thjeshtësia absolute. Kjo është ajo çfarë dua. Kur je duke u ngjitur mendja jote është e qartë dhe e dëlirë prej pështjellimeve. Ke një fokus. Dhe papandehur drita bëhet më e mbrehtë, zërat më të pasur dhe je i mbushur me praninë e thellë e të fuqishme të jetës”.
Fotografitë, pas të cilave shpesh fshihet një aventurë e rrezikshme në rrëpira e humbella, kanë gjetur tashmë adhuruesit e vet mes shqiptarësh që zbulojnë krenarinë e tyre.