Tirana e “vdekjes”: Ndotja e ajrit kalon 12 herë normat e OBSH-së

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Tirana po përballet me një krizë mjedisore të heshtur, ku ajri që thithin qytetarët çdo ditë është kthyer në një rrezik serioz për shëndetin publik. Harta e kuqe e ndotjes ka “pushtuar” tashmë të gjitha arteriet kryesore të kryeqytetit, ku pluhuri dhe emetimet e gazrave të rrezikshëm nga automjetet kanë kaluar çdo limit të sigurisë njerëzore.

Pas alarmeve të lëshuara nga organizata Co-Plan dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të dhënat e reja nga platforma globale World Air Quality Index konfirmojnë një realitet edhe më shqetësues nga sa mendohej. Monitorimi në kohë reale, i kryer përmes 9 stacioneve të shpërndara në pikat më të frekuentuara të qytetit, nxjerr zbuluar dështimin e plotë në menaxhimin e mjedisit urban.

Në zona si Rruga “Bardhyl”, Rruga e Kavajës dhe te Ish-Parku i Autobusëve, niveli i grimcave të rrezikshme PM 2.5 është matur deri në 12 herë më i lartë se normat strikte të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Situata nuk paraqitet më mirë as në qendrën administrative; stacioni i vendosur te Shtëpia e Europës, në rrugën “Papa Gjon Pali i Dytë”, tregon po ashtu nivele kritike ndotjeje, duke dëshmuar se asnjë cep i Tiranës nuk është më “ishull i pastër”.

Ekspertët shpjegojnë se ky nivel ekstrem i grimcave të pluhurit shkaktohet kryesisht nga trafiku i rënduar i automjeteve, kantiereve të pafundme të ndërtimit dhe aktivitetit industrial që rrethon qytetin. Grimcat PM 2.5 janë veçanërisht tinëzare pasi depërtojnë thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, duke u bërë burim për sëmundje kronike.

Në raportet e tyre, institucionet mjedisore theksojnë se zgjidhja e vetme mbetet shtimi urgjent i hapësirave të gjelbra. Megjithatë, përballë këtij alarmi, Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të mbajë një qëndrim mospërfillës. E pyetur zyrtarisht nga Televizioni Klan se sa është shtuar sipërfaqja e gjelbër dhe sa pemë janë mbjellë konkretisht gjatë vitit të fundit, administrata e kryeqytetit vijon të heshtë, duke lënë qytetarët nën tymin e smogut dhe pa asnjë llogaridhënie.

Share This Article