Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së sot në Bruksel do të diskutojnë për metodologjinë e bisedimeve hyrëse të propozuar nga Komisioni Evropian (KE), por nuk do të miratojnë konkluzione derisa nuk publikohen raportet për zhvillimin reformues të Shkupit dhe Tiranës, njofton Portalb.
Në rend dite të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së sot janë parashikuar diskutime të gjera për samitin e ardhshëm të liderëve dhe për bisedimet për partneritetin e ardhshëm të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pasi që të mbarojnë me këto diskutime, ministrat parashikojnë pikë informuese për metodologjinë e re për zgjerim që e ka publikuar KE-ja përpara disa javëve. Pritet që të përsëritet se reformat në këtë metodologji do të zhvillohen paralelisht me hapjen e bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por nuk do të munden të miratojnë asnjë konkluzion derisa vendet anëtare nuk do të kenë qasje në raportin e KE-së për zhvillimin reformues.
Këto reforma duhet që të publikohen në javën e ardhshme, sipas të gjitha gjasave mes 2 dhe 5 mars.
Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kriteret formale, ndërkaq me miratimin e Ligjit për Prokurori Publike, autoritetet shpresojnë se në tavolinë do të jetë edhe një argument në dobi të fillimit të bisedimeve gjatë këtij viti.
Mbetet e paqartë se çfarë qëndrimi do të kenë Holanda, Danimarka dhe Franca, të cilët janë kundër zgjerimit. Holanda dhe Danimarka kanë rezerva të veçanta ndaj Shqipërisë, por duke e pasur parasysh se Franca, por edhe vendet tjera, janë “për” fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën, Haga dhe Kopenhaga nuk do të kenë mundësi tjetër, pos të bllokojnë. Në këtë kontekst është e rëndësishme se çfarë qëndrimi do të marrë Kuvendi i Holandës pas publikimit të raporteve për zhvillim të reformave.
Metodologjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani numëron shtatë faza që shtetet kandidate duhet t’i plotësojnë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane kundrejt 35 kapitujve që janë aktualisht.