DETAJE/ Hapen bastet sportive on-line! Ja si mund ta fitosh licencën, jepen vetëm 10-të në të gjithë vendin

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të enjte vendimin që hap rrugën për licencimin e basteve sportive on-line në Republikën e Shqipërisë. Ky vendim përcakton kriteret strikte të vlerësimit, afatet e aplikimit dhe metodologjinë e pikëzimit për të gjitha subjektet që kërkojnë të futen në këtë treg.

Sipas vendimit të ri, numri i licencave për organizimin e basteve sportive on-line do të jetë i kufizuar. Qeveria ka vendosur që në të gjithë vendin të jepen jo më shumë se 10 (dhjetë) licenca. Procedura e përzgjedhjes do të jetë konkurruese dhe do të menaxhohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe një Komision Licencash i posaçëm.

Kush fiton licencën?

Për të përzgjedhur fituesit, qeveria ka hartuar një metodologji me 100 pikë totale, ku kriteret kryesore janë:

  1. Oferta ekonomike (30 pikë): Vlera që aplikanti ofron mbi tarifën bazë të licencimit.
  2. Përvoja në fushën e lojërave të fatit (30 pikë): Vlerësohet eksperienca e mëparshme e subjektit ose aksionarëve.
  3. Kapacitetet organizative dhe administrative (20 pikë): Analizohet struktura organizative, menaxhimi i riskut dhe integriteti i transaksioneve.
  4. Zgjidhjet software-ike dhe siguria (15 pikë): Vlerësohet arkitektura teknike, siguria kibernetike dhe integrimi me sistemet e monitorimit në kohë reale të AMLF-së.
  5. Plani i biznesit (5 pikë): Një analizë e detajuar trevjeçare e tregut dhe realizueshmërisë financiare.

Në rast se dy ose më shumë aplikantë rezultojnë me pikë të barabarta, renditja e tyre do të përcaktohet përmes shortit.

Kriteret për aplikantët dhe kostot Të drejtë aplikimi kanë vetëm personat juridikë të regjistruar si shoqëri aksionare. Çdo subjekt duhet të paguajë një tarifë aplikimi prej 500,000 (pesëqind mijë) lekësh, e cila është e pakthyeshme, pavarësisht nëse subjekti shpallet fitues apo jo.

Transparenca dhe afatet Hapja e procedurës do të shpallet në faqen zyrtare të AMLF-së, në dy gazeta ndërkombëtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Subjektet e interesuara do të kenë 45 ditë kalendarike afat për të dorëzuar dokumentacionin e tyre që nga data e njoftimit.

Për të garantuar transparencë maksimale, procesi i hapjes së aplikimeve do të monitorohet në mënyrë të pandërprerë me kamera dhe audio. Fituesit do të shpallen pas vlerësimit teknik, ndërsa subjektet që nuk kualifikohen kanë të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve pranë Ministrit të Financave.

Ky vendim mban firmën e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Share This Article